Mungesa e avokatëve shtyn 15 seanca gjyqësore në Gjykatën e Ferizajt

Gjykata Themelore ne Ferizaj
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Janar 9, 2019

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën, kanë dështuar të mbahen 15 seanca gjyqësore, si pasojë e mungesës së avokatëve që kanë përfaqësuar palët në procedura të ndryshme gjyqësore.

Për këtë numër të dështimit të seancave, si shkak i bojkotit të avokatëve, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Albënora Bekteshi-Hoti.

Kurse, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Jeton Berisha nga Ferizaj, ka thënë se  lidhur me urdhëresën e KGJK-së për kufizimin  e qasjes në objektin e gjykatës, konsideron se përveç se është e kundërligjshme nga përmbajtja e saj mund të vërehet qasja selektive dhe diskredituese e KGJK-së ndaj avokatëve, ngase sipas tij, në këtë urdhëresë nuk janë përfshirë edhe prokurorët, apo palët tjera procedurale.

“Urdhëresa në fjalë si autoritet për disiplinim të avokatëve e përcakton personelin e sigurimit të objektit të gjykatës dhe personat që punojnë në sportel, për më keq kjo urdhëresë ju jep autoritet sigurimit të gjykatës edhe për përdorimin e forcës në rast të mospërfilljes sipas kësaj urdhërese”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se sikur KGJK-ja do të donte ta rregullonte formën e komunikimit ndërmjet palëve, këtë sipas tij, do të mund ta bënte në formë të rekomandimit dhe pas konsultimit me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) apo kryetarët të degëve regjionale, i cili do ta arrinte efektin e duhur.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.