Mungesa e anëtares së trupit gjykues dhe mos sjellja e ekspertizës së përgjimeve shtyn gjykimin për fshehje provash

medina
Author

Raporton: Medina KADRIU

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Për shkak se sërish Agjencia Kosovare për Forenzikë nuk e ka sjell ekspertizën e përgjimeve, ka dështuar të mbahet gjykimi që po zhvillohet ndaj Xhemajl Maliqi, i cili akuzohet për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte përvetësuar në cilësinë e zyrtarit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

Në këtë rast, i akuzuari Bujar Maliqi, më 10 maj të këtij viti, kishte pranuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, andaj gjykimi po vazhdon vetëm ndaj babait të tij, Xhemajl Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, edhe trupi gjykues nuk ka pasur përbërje të plotë, meqenëse nuk ishte prezente gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, ka deklaruar se trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë dhe se prapë ka arsye për shtyrjen e seancës, sepse nga Agjencia Kosovare për Forenzikë pas insistimit të gjykatës kanë marr një e-mail lidhur me ekspertizën.

Në këtë e-mail, sipas tij, ishte thënë se është përfunduar ekzaminimi dhe pastrimi i CD-së me mbishkrim “12.02.2014”, zhurmat janë eliminuar dhe është paraqitur vizualisht teksti në video bashkë me zërin e pastruar.

Kurse, sa i përket CD-së me mbishkrim “19.02.2014, thuhet se është përfunduar vetëm pjesa e filtrimit të zërit dhe sinjalit të CD-së, kurse zhurmat nuk janë eliminuar tërësisht dhe ende nuk është nxjerr tekst.

Avokati mbrojtës i Xhemajl Maliqit, Sevdali Zejnullahu, ka thënë se nga ato që i kanë dëgjuar në prokurori rezulton të jetë një bisedë që nuk dëgjohet çfarë flitet.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, ka deklaruar se do të bëhet transkriptimi nga ana e ekspertit.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë të mbahej më 23 tetor, kishte dështuar të mbahej për shkak se nuk ishte sjell ekspertiza e përgjimeve.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte bërë të ditur se në seancën e 21 shtatorit, gjykata ka lëshuar urdhëresë për Agjencinë Kosovare për Forenzikë për ekspertimin e masave të fshehta të hetimeve konkretisht përgjimit në vend publik.

Një gjë të tillë, ai kishte thënë se gjykata e ka bërë pasi që janë shfaqur pengesa gjatë administrimit të kësaj prove në gjykatë sa i përket zhurmës dhe bisedës së përgjuar.

“Me datën 28 shtator 2018, agjencioni në fjalë ka pranuar urdhëresën së bashku me materialin për ekspertim, po deri në këto momente nuk e kanë sjell në gjykatë ekspertizën”, kishte deklaruar gjykatësi Hoti.

Ai kishte thënë se meqenëse provat tjera në këtë shqyrtim janë administruar dhe sa i përket të akuzuarit Xhemajl Maliqi, kjo është prova kryesore, në mungesë të saj, sipas tij, nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit kryesor.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 17 janar, nga ora 13:00.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e 21 shtatorit, kishte vendosur që përgjimet t’i dërgojë në Agjencinë Kosovare për Forenzikë.

Në seancën e 21 shtatorit, vendimi për dërgimin e përgjimeve në Agjencinë Kosovare për Forenzikë, ishte marr pas dëgjimit të hetuesit policor Safet Berkolli, i cili kishte thënë se kishte marrë pjesë në përgjimin e bërë në qendrën e paraburgimit ku kishin biseduar i pandehuri Bujar Maliqi dhe prindi i tij, Xhemajl Maliqi.

Mirëpo, sipas Berkollit biseda e bërë mes dy të pandehurve nuk dëgjohej mirë sepse nga zmadhuesit e zërit dëgjoheshin edhe zëra të tjerë.

Kurse, gjykatësi Arben Hoti kishte thënë se edhe pas dëgjimit të CD-ve në seancë, trupi gjykues nuk ka qenë në gjendje të identifikojë ndonjë fjalë përmes masave të fshehta.

Ai kishte thënë se do të ishte më mirë që përmes ekspertizës së Agjencisë Kosovare të Forenzikës të kuptohet qartë se çka përmbajnë ato përgjime.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 korrik 2018 kishte vendosur  që si dëshmitar të ftohej hetuesi policor, Safet Bërkolli, në rastin ku Bujar Maliqi, në cilësinë e zyrtarit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këtë akuzë, më 10 maj të këtij viti, Maliqi e kishte pranuar fajësinë.

Në këtë rast, akuzohet edhe babai i tij, Xhemajl Maliqi, mirëpo ai ishte deklaruar i pafajshëm për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte përvetësuar.

Prokurorja Sylejmani për të akuzuarin Bujar Maliqi, e kishte bërë precizimin e aktakuzës, duke hequr veprën penale “vjedhje e rëndë”, dhe duke akuzuar të njëjtin vetëm për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas këtij ricilësimi që ishte bërë dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Besnik Berisha, i akuzuari Bujar Maliqi kishte pranuar fajësinë për keqpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Bujar Maliqi akuzohet se më 10 janar 2014, në cilësinë e personit zyrtar në bankën BKT, kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim që t’i sjell vetit dobi pasurore, kishte përvetësuar para në vlerë prej 284,995.70 euro, 13,827 dollarë, 12,180 franga zvicerane dhe 5,510 funte britanike.

Ndërsa, Xhemajl Maliqi, akuzohet për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte përvetësuar.