MPBAP-ja vazhdon afatin e vlefshmërisë së letërnjoftimeve dhe leje qëndrimeve pas rrethanave të krijuara nga Covid-19

Ministria e Puneve te Brendshme
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Mars 26, 2020

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) ka vazhduar afatin e vlefshmërisë së letërnjoftimeve në skadim për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe leje qëndrimin për shtetasit e huaj, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19.

Vendimi i tillë është marrë të enjten nga ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike njofton qytetarët se Ud. ministri,  z. Xhelal Sveçla, ka nënshkruar vendimin ku të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që iu ka skaduar apo iu skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit, nga pamundësia që të vazhdojnë për shkak të situatës së paraqitur me virusin Covid-19, iu vazhdohet afati i vlefshmërisë deri në shfuqizimin e këtij vendimi”, thotë njoftimi zyrtar i MPBAP-së.

Gjithashtu, i njëjti vendim vlen për shtetasit e huaj të cilët kanë leje qëndrimin, mirëpo iu ka skaduar apo iu skadon afati i vlefshmërisë.

“Ky vendim është i bazuar në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të pavarura, Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera”, thuhet në njoftim.

Vendimin në fjalë e ka komunikuar edhe Policia e Kosovës. /BetimipërDrejtësi