MPB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me EUROPOL-in për parandalimin e krimit dhe terrorizmit

EUROPOL
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Korrik 27, 2020

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian (EUROPOL), të hënën, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila pritet ta ndihmojë Kosovën në parandalimin e krimit dhe të terrorizmit.

Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga ministri i MPB-së, Agim Veliu, i cili tha se iniciativa për nënshkrimin e së njëjtës ka nisur në vitin 2016.

Veliu deklaroi se me këtë marrëveshje do të avancohen dhe forcohen kapacitetet e Kosovës në luftimin e kriminalitetit.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe gjithë Evropa po përballet me kërcënime të shumta nga organizata kriminale ndërkombëtare dhe grupe terroriste. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit do t’iu ofrohet një mjet i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional, duke e mbyllur kështu një hapësirë që ka ekzistuar me vite të tëra. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë”, ka thënë Veliu.

Ministri i MPB-së bëri të ditur se kjo është marrëveshja bazë, përderisa pritet të nënshkruhen edhe dy memorandume shtesë.

Në anën tjetër, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se kjo marrëveshje rrit nivelin e bashkëpunimit midis bllokut evropian dhe Kosovës.

“Pas futjes në fuqi të marrëveshjes, ky nivel i ri i bashkëpunimit do të jetë i rëndësishëm për trajtimit të rasteve të krimit që ndikojnë në BE dhe Kosovë, siç është terrorizmi, krimi i organizuar, posaçarësisht përmes shkëmbimit të informacioneve ndërmjet EUROPOL-it dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë”, deklaroi Apostolova.

Ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se Kosova tani do të ketë mundësinë që në kanale zyrtare të shkëmbejë informacione me EUROPOL-in, si dhe të shkëmbejë analiza për situatën e përgjithshme që ndërlidhen me krimin.

“Ajo që është më e veçantë është se kjo marrëveshje hap rrugën e qasjes tonë në kanalet e sigurta të komunikimit të EUROPOL-it. Gjithashtu kjo marrëveshje na mundëson që ne të dërgojmë zyrtarë ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it. Me këtë marrëveshje, ne plotësojmë akoma më shumë misionin tonë për të siguruar sundim të ligjit, për të parandaluar krimin, për të mbrojtur njerëzit dhe pronën, jo vetëm brenda vendeve tona përkatëse, por edhe në nivelin rajonal, por edhe për të kontribuar në sigurinë në nivelin evropian”, tha Qalaj. /BetimipërDrejtësi