MOSLOKALIZIMI I TË AKUZUARIT SHTYN SEANCËN

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ishte paraparë që të mbahet seanca gjyqësore kundër të akuzuarve Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku, Faton Canolli, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, megjithatë e njëjta nuk u zhvillua për shkak se mungonte i akuzuari Faton Canolli.

Gjykatësi i çështjes Shashivar Hoti u shpjegoi palëve se gjykata posedonte 3-4 adresa të të akuzuarit dhe në të gjitha gjykata ka tentuar t’i dërgoi ftesë Canollit, megjithatë adresa e tij e vërtetë nuk është siguruar akoma. Andaj, nëse deri në seancën e ardhshme të caktuar më 3 maj, vendndodhja e Canollit sigurohet nga ana e policisë, ai do të sillet me dhunë në gjykatë.

Lënda në fjalë është pothuajse 8 vite e vjetër. Sipas aktakuzës së 17 shtatorit 2008, të pandehurit Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku dhe Faton Canolli akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përderisa Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

I pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivateve “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ashtu që ka ardh deri te ndezja e gazit ku nga lëndimet e shkaktuara kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licencuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivateve të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.

Ndërkaq, aktakuza ngarkon Ahmet Frangun dhe Nafije Osmanin, të cilët në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes  të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë