Mos përkthimi i shkresave të lëndës shtynë gjykimin për korrupsion ndaj zyrtarit të aeroportit “Adem Jashari”

20200716_093427
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 16, 2020

Prishtinë –  Për shkak të mos përkthimit të shkresave të lëndës të gjuhën turke, nuk ka arritur të mbahet seanca fillestare ndaj inxhinierit të elektronikës, Martin Biserov Alekov, i cili po akuzohet se në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Bashkë me të, për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe zyrtarët Faton Gurguri, Endi Bujupi dhe Visaj Xhekaj, të cilët në seancën e 26 qershorit ishin deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse procedura ndaj Biserov Alekov ishte veçuar, pasi gjykata ia kishte dorëzuar ftesën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, por nuk kishin prova nëse i njëjti e kishte pranuar atë në mënyrë të rregullt.

Gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj kishte bërë të ditur se nuk kishin informata nëse i njëjti gjendet në Republikën e Kosovës, andaj dhe duke pasur parasysh se rasti ka të bëjë me një vepër penale korruptive, si dhe për shkak të gjendjes së pandemisë, procedura ndaj tij ishte veçuar.

Mirëpo, gjatë seancës të së enjtes, pasi është siguruar prania e të akuzuarit Martin Biserov Alekov, ky i fundit është paraqitur në seancë dhe e ka njoftuar gjykatën se aktakuzën në gjuhën shqipe nuk e ka pranuar ai personalisht, por avokati i tij.

Ai tha se avokati ia kishte dorëzuar aktakuzën në gjuhën shqipe, por jo edhe në gjuhën e tij amtare, prandaj dhe të njëjtën nuk e ka kuptuar, pasi tha se nuk e flet gjuhën shqipe.

I akuzuari deklaroi se nevojë ta ketë aktakuzën në gjuhën e tij amtare dhe se nuk mund të deklarohet rreth fajësisë.

Më pas, prokurorja Dulina Hamiti ka deklaruar se në gjykatë është dorëzuar akti akuzues i përkthyer në gjuhën turke, ku e njëjta iu dorëzua të pandehurit në seancë.

Me të parë aktin akuzues, përkthyesi i gjuhës turke, që ishte prezent në gjykatore, ka deklaruar se e njëjta nuk është e përkthyer mirë.

I akuzuari e lexoi aktin akuzues dhe tha se e kupton të njëjtën, duke shtuar se nuk ka nevojë të përkthehet edhe njëherë.

Mirëpo, ai bëri të ditur se shkresat tjera të lëndës nuk i ka pranuar të përkthyera dhe se nuk mund të deklarohet pa i pasur të njëjtat në dispozicion në gjuhën që ai e kupton.

Në këto rrethana, gjykatësja Kuka-Mekaj ka deklaruar se prokuroria nuk ka përmbushur obligimin e tyre ligjor dhe se meqenëse i pandehuri nuk ka në dispozicion këto shkresa në gjuhën e tij amtare, kjo mund të jetë shkelje e nenit 5 dhe 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Andaj, ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore dhe se seanca do të shtyhet në afat të pacaktuar.

Ajo ka obliguar prokurorinë që në afat prej një muaji t’i përkthej shkresat dhe të ftoj mbrojtësin e të akuzuarit, avokatin Selman Bokiqi dhe të akuzuarin për t’ua dorëzuar.

Gjithashtu, ajo e njoftoi të pandehurin se nëse akuza konfirmohet, atëherë procedura ndaj tij mund të bashkohet me tre të akuzuarit e tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi