Kamenicë – I akuzuari Blerim Spahiu, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “tragtia e ndaluar”.
Ai po akuzohet se në qershor të vitit të kaluar, te parku i fshatit Karaqevë e Poshtme të Kamenicës, nga Policia Kufitare – Rajoni Lindje Kaqanik, është ndaluar traktori “IMT Ferguson 539”, me rimorkio në të cilën kishte një gjedhë të gjinisë mashkullore, të cilin e tregtonte edhe pse për të njëjtin nuk posedonte dokumentacionin përkatës për transport.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bahtie Ademi, i akuzuari Spahiu e ka mohuar veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Sadri Krasniqi, njoftoi të akuzuarin se ka të drejtën e kërkesës në afat prej 15 ditësh për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 qershor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Spahiut, me arsyetimin se ai më 15 maj 2020, rreth orës 23:35, te parku i fshatit Karaqevë e Poshtme të Kamenicës, nga Policia Kufitare – Rajoni Lindje Kaqanik, është ndaluar traktori “IMT Ferguson 539”, me rimorkio në të cilën kishte një gjedhë të gjinisë mashkullore, të cilin e tregtonte edhe pse për të njëjtin nuk posedonte dokumentacionin përkatës për transport, fletë përcjellje e as certifikatë të dezinfiktimit.
Me këtë, Blerim Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale “tregtia e ndaluar”, nga neni 299 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi