Mohon fajësinë i akuzuari për narkotikë në Mitrovicë

85
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Tetor 16, 2020

Mitrovicë – Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Avdyl Kurti e ka mohuar fajësinë për veprën penale të posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

Në seancën e së premtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema dhe njoftimit të pandehurit me të drejtat e tij në procedurë, ky i fundit u deklarua i pafajshëm.

Në këto rrethana, gjykatësi Gëzim Ademi, e ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen e aktakuzës brenda afatit 30 ditor nga shqyrtimi fillestar.

Gjykatësi ka lajmëruar se lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat do të vendosë jashtë seancës dëgjimore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 2 korrik 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Avdyl Kurti.

Sipas aktakuzës, më 8 shkurt 2019, në afërsi të hallës sportive në Mitrovicë, deri sa ishte në shoqëri me tre shokët e tij, pa autorizim kishte poseduar substancë narkotike – marihuana dhe kur i vëren hetuesit e njësisë kundër narkotikeve dhe krimit të organizuar, nga xhepi i pantollave e hedh një qese najloni afër vetes ku ishte substance narkotike – marihuana, me pesh prej 0,54 gr.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275 pargrafi.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi