MOHON FAJËSINË I AKUZUARI PËR KONTRABANDIM ME MIGRANTË

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Bashkim Halimi,i akuzuar për veprën penale “kontrabandim me migrantë’, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka mohuar kryerjen e kësaj vepre penale. Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit Agon Uka, dhe njoftimit me të drejtat  e tij nga ana e gjykatësit Aziz Shaqiri, i akuzuari Bashkim Halimi deklaroi se nuk ndjehet fajtor dhe se nuk e ka kryer veprën penale.

Më këtë rast, gjykatësi Shaqiri e informoi palën mbrojtëse se deri më 21 korrik 2016 kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës, kërkesë për kundërshtim të provave apo kërkesë për propozim të dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bashkim Halimi më 9 korrik 2013 me dashje, me qëllim përfitimi të drejt për drejt të dobisë financiare, ka organizuar kalimin e kufirit Kosovë-Serbi, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Mazda” me targa gjermane, paraprakisht merret vesh me të dëmtuarin Sabri Halimi për t’a dërguar deri në Austri që i njëjti ia jep 800 euro, ku në veturë e të  pandehurit ishte edhe vëllai i të pandehurit Kujtim Halimi dhe bashkëshortja e të pandehurit Ramize Halimi dhe me të ofruar afër kufirit të Hungarisë, i njëjti rrezikon të dëmtuarit Sabri Halimi, Kujtim Halimin dhe Ramize Halimin, pasi të njëjtit me rastin e kalimit të kufirit arrestohen nga autoritetet hungareze dhe qëndrojnë rreth një muaj në paraburgim.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë