Mohojnë fajësinë të akuzuarit për vrasjen e rëndë në fshatin Serbovac të Zveçanit

ffsfsdfsfs
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Gusht 26, 2020

Mitrovicë – Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Razvigor dhe Radenko Miniq kanë mohuar fajësinë për vrasje të rëndë.

Të pandehurit akuzohen se me 6 mars 2014, në fshatin Serbovac të Zveçanit, kishin privuar nga jeta viktimën Millan Stojanoviq, pasi paraprakisht ia kishin marrë nga çanta 15 mijë euro dhe 20 mijë dinarë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në gjykim kanë prezantuar edhe mbrojtësit e të pandehurve dhe atë avokati Halil Dërguti për të pandehurin Razvigor, si dhe avokati Faik Jashari për të pandehurin Radenko, të dy të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Gjykatësi Radosllav Markoviq i ka njoftuar këta të fundit dhe klientët e tyre me të drejtën për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar hedhjen aktakuzës brenda afatit prej 30 ditësh.

Gjykatësi i ka lajmëruar të pandehurit se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet ,ndërsa lidhur me kërkesat dhe kundërshtimet do të vendosë jashtë seancës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 11 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Razvigor dhe Radenko Miniq.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me 6 mars 2014, në fshatin Serbovac, në Komunën e Zveçanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore kishin privuar nga jeta viktimën Millan Stojanoviq.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht i pandehuri Radenko kishte shkuar me qa dru tek i pandehuri tjetër Razvigor, i cili kishte jetuar me qira në shtëpi të pronarit Darka Radenkoviq, pastaj viktima kishte kërkuar  nga i pandehuri Razvigor që të kaloj natën në shtëpi, me ç` rast i pandehuri i kishte thënë “po nëse ke para”, mirëpo viktima i kishte thënë se nuk ka para dhe i pandehuri e kishte pranuar në shtëpi për të kaluar natën.

Siç thuhet në aktakuzë, gjatë qëndrimit të viktimës Stojanoviq brenda në shtëpi, të pandehurit Razvigor dhe Radenko Miniq i kishin marrë çantën viktimës në të cilën kishte pasur 15 mijë euro dhe 20 mijë dinarë dhe pastaj e kishin goditur viktimën me mjete të forta në kokë dhe trup, kurse trupin e viktimës e kishin nxjerr dhe e kishin vendosur në bagazhin e automjetit “Reno Klio”, pronë e të pandehurit Razvigor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit më pastaj kishin futur edhe kazmën dhe lopatën në automjet dhe ishin nisur në drejtim të Leposaviqit, me ç`rast trupin e viktimës e kishin fshehur në vend të panjohur dhe deri më tani trupi i viktimës ende nuk është gjetur.

Me këtë, të pandehurit Razvigor dhe Radenko Miniq akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi