MJEKU INTERNIST QAZIM AVDIMETAJ SHPALLET I PAFAJSHËM PËR AKUZAT PËR KORRUPSION

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Qazim Avdimetaj është shpallur i pafajshëm nën akuzën se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare si mjek internist në Spitalin Regjional të Pejës. Aktgjykimi lirues është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përmes të cilit është liruar Qazim Avdimeta, i cili akuzohej se kishte udhëzuar pacientët në klinikën private “Heart” me pronar Hajrulla Binakaj dhe njëkohësisht kishte përfituar të holla nga firmat farmaceutike me qëllim të testimit të barnave tek pacientët, ku akuzohej se kishte të mira materiale prej 6620 euro.

Në seancën e së mërkurës, Qazim Avdimetaj, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë. I njëjti me udhëzimin e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, është mbrojtur në heshtje, me arsyen se barra e të provuarit të fajësisë i bie organit të akuzës.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu nuk i ka pranuar provat e dorëzuara nga prokurori, që kishin të bëjnë me përgjimin e telefonit të të akuzuarit, me arsye se ato prova janë marrë në mënyrë të parregullt, pasi që në shkresat e lëndës, nuk ka urdhëresë nga gjykata, për ato përgjime.

Prokurori i Shtetit, Agron Matjani, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me faktet e paraqitura para trupit gjykues, është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke përfituar të mira materiale prej 6620 euro, të cilat para ka propozuar t’i konfiskohen.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha, në fjalën  e tij përfundimtare ka deklaruar se vet provat e dorëzuara nga prokuroria e dëshmojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij, dhe më tej ka shtuar se pasi që prokuroria nuk u tërhoq në këtë seancë nga aktakuza, ka shprehur besimin se gjykata do të sjellë aktgjykim lirues sepse një mbështetje e tillë tanimë e jep edhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit.

Në vitin 2014, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar të akuzuarin për këtë vepër penale, por me ankesë palës mbrojtëse, i njëjti aktgjykim ishte prishur nga Gjykata e Apelit dhe rasti ishte kthyer në rigjykim.

Në fund të vitit 2013, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj Qazim Avdimetaj me arsye se i njëjti duke shfrytëzuar pozitën  e tij zyrtare, si mjek internist në Spitalin Regjional të Pejës, ka udhëzuar të sëmurët nga zemra që të shkojnë për mjekim në Spitalin Privat “Heart” me ç’rast ka marrë  para nga i njëjti spital në shumë prej 100 euro, dhe gjithashtu duke testuar barnat e  firmave farmaceutike si “Papadobulos”, “Bellupo” etj. tek pacientët, me ç’rast ka përfituar të holla nga të njëjtat firma në total prej 6620 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë