Miratohet pjesërisht padia e Salih Mekajt ndaj Akademisë së Drejtësisë për mbrojtje të së drejtës së autorit dhe kompensim të dëmit

erwrw (1)
Author

Raporton: Medina KADRIU

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, e ka miratuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, të ushtruar ndaj Akademisë së Drejtësisë, për mbrojtje të së drejtës së autorit dhe kompensim të dëmit.

Sipas vendimit të gjykatës, është konstatuar se e paditura-Akademia e Drejtësisë, ka shkelur të drejtat morale të autorit-paditësit, Salih Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E paditura është detyruar që publikimet të cilat deri tash janë të shtypura, të përmirësohen, duke vendosur informata shtesë me të drejtën autoriale, ndërsa për mallrat që shtypen në atë ardhmen të vendoset e drejta autoriale.

Tutje, e paditura është detyruar që paditësit Mekaj t’ia kompensoj dëmin jo material, për shkak të shkeljes së të drejtave morale, në shumën prej 4,000.00 euro si dhe që t’i mbuloj shpenzimet për shpalljen e plotë të aktgjykimit në media.

Me anë të këtij vendimi, është refuzuar pjesërisht si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Mekaj, në pjesën ku ka kërkuar kompensimin e dëmit dhe mbi shumën e aprovuar në paragrafin e katërt, në shumën prej 1,100.00 euro.

Kurse, e paditura-Akademia e Drejtësisë është detyruar që paditësit t’ia kompensoj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 1,638.00 euro, të gjitha këto në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, nën përmbarimin e detyrueshëm.

Ndryshe, Mekaj kishte ushtruar padi më 11 prill 2018, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet e paditura që t’ia kompensoj dëmin moral, t’i vendos informatat shtesë për publikimet që veç janë shtypur në doracak, ndërsa për mallrat që do të shtypen të respektohet e drejta autoriale dhe t’i kompensohen shpenzimet e procedurës.

Pala paditëse, në padi dhe gjatë seancave dëgjimore, sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ka theksuar se në vitin 2015 me palën e paditur kishte lidhur marrëveshje për hartimin dhe publikimin e Doracakut për Procedurën penale, i cili do të shkruhet nga autorët Bashkim Hyseni, Afrim Shala dhe Salih Mekaj, gjegjësisht paditësi do ta përgatiste artikullin 6 të materialit në fjalë.

“Sipas marrëveshjes, autori kishte dorëzuar shkrimet e tij, ndërsa e paditura i kishte publikuar “Doracakun” në përkrahje të agjencisë së SH.B.A për zhvillim ndërkombëtar “USAID”. E paditura e ka bërë edhe kompensimin e autorëve sipas marrëveshjes së arritur dhe se kontrata mes palëve është përmbushur. “Akademia e Drejtësisë”, e ka bërë publikun e doracakut dhe shpërndarjen e tij, duke filluar nga viti 2015, mirëpo gjatë përpunimit të materialit para publikimit e paditura nuk e ka paraqitur si autor edhe paditësin, por vetëm Bashkim Hysenin dhe Afrim Shalën. Me këto veprime, Instituti Gjyqësor i Kosovës, trashëgues juridik i së cilës është Akademia e Drejtësisë, ka bërë shkelje të nenit 18, par të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. I propozon gjykatës që ta aprovon padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si në petitumin e kërkesëpadisë”, thuhet në vendim.

Kurse, thuhet se i padituri me përgjigje në padi dhe gjatë seancave dëgjimore e ka kontestuar kërkesëpadinë nga shkaku se Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK)- Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me programin USAID, respektivisht kontraktuesit EROL, ka qenë e angazhuar në hartimin e doracakut për procedurën penale, ku edhe paditësi ka qenë i angazhuar në hartimin e një pjesë të doracakut, mirëpo çdo aktivitet i implementimit të këtij doracaku ka qenë nën menaxhimin e implementuesit/ kontraktuesit të lartcekur, si dhe publikimi, të cilën gjë e konfirmon edhe pala paditëse.

“Publikimin dhe shpërndarjen e doracakut e ka bërë projekti i lart theksuar respektivisht implemetuesi EROL, si dhe organizimin e ceremonisë së inkuadrimit të këtij doracaku, andaj IGJK-ja nuk ka pasur rol aktiv në publikimin e këtij doracaku. IGJK-ja, materialet i ka dërguar me emrat e tre autorëve dhe se nuk e ka shmangur paditësin, mirëpo kjo është bërë gjatë publikimit të materialit nga implementuesi i projektit EROL. E paditura e ka kuptuar se paditësi Salih Mekaj është hequr nga doracaku i publikuar në ceremoninë e inaugurimit dhe se nuk ka pasur njohuri më herët se paditësi është hekur nga doracaku. Andaj, konsiderojmë se pala e paditur nuk ka legjitimit pasiv lidhur me këtë çështje kontestuese pasi që publikimi i parë është bërë nga Erol, ndërsa më pas nuk ka ndodhur ndonjë publikim tjera, e drejta e bartur nga Erol tek IGJK-ja”, thuhet në vendim, sa i përket pretendime të së paditurës.

Pala e paditur kishin kërkuar që të refuzohet padia dhe kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar.

Në lidhje me këtë çështje juridike kontestimore, kjo gjykatë kishte vendosur në mënyrë meritore, ku e kishte aprovuar kërkesën e palës paditëse dhe ishte konstatuar se paditësit i janë shkelur të drejtat morale të autorit, është obliguar e paditura që të përmirësohen publikimet e bëra përmes vendosjes së informatave shtesë lidhur me të drejtën e autorit, po ashtu ishte obliguar e paditura që në emër të dëmit moral t’ia kompensoj paditësit shumën prej 4,000.00 euro.

Mirëpo, ankesë kishte ushtruar pala e paditur në Gjykatë të Apelit, e cila e kishte aprovuar si të bazuar ankesën, kishte prishur aktgjykimit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

E në rigjykim, kjo gjykatë me aktgjykimin e datës 7 tetor 2020, ka konstatuar se nuk është kontestuese se paditësi me të paditurën, në vitin 2015, kishte lidhur kontratën për hartimin dhe publikimin e doracakut të gjyqtarëve për procedurën penale, i cili do të punohej nga autorët Bashkim Hyseni, Afrim Shala dhe Salih Mekaj.

Sipas gjykatës, nuk është kontestuese se Mekaj ishte ngarkuar të përgatiste kapitullin e katërt të materialit të këtij doracaku, të cilin sipas marrëveshjes, këtë material autorët e kishin dorëzuar te pala e paditur dhe nuk është kontestuese se kontrata e lidhur është realizuar, ku pala paditëse ka dorëzuar materialin e kërkuar, ndërsa pala e paditur ia ka paguar çmimin.

Tutje, sipas gjykatës nuk është kontestuese se e paditura e ka publikuar doracakun me përkrahjen e USAID-it dhe se e njëjta e ka bërë publikim e doracakut dhe shpërndarjen duke filluar nga viti 2015.

“Gjithashtu, nuk është kontestuese se gjatë publikimit të këtij doracaku, Akademia e  Drejtësisë nuk e ka paraqitur si autor paditësin, por vetëm autorët Bashkim Hyseni dhe Afrim Shalën. Nga provat e administruara nga gjykata shihet qartë se në doracak, në faqen 2, si autor paraqiten Bashkim Hyseni dhe Afrim Shala, ndërsa mungon emri dhe foto Salih mekaj, edhe pse është autori i kapitullit të 6 të këtij doracaku”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, edhe nga përmbajtja e agjendës për shpërndarjen e doracakut nga viti 2015, IGJK-ja, tani Akademia e Drejtësisë, në asnjë moment nuk e ka përmirësuar përmbajtjen e doracakut, që vërtetohet me agjendën e dorëzuar nga vet e paditura, ku në listën e autorëve nuk figuron emri i paditësit, siç shihet në faqen 2 të agjendës të 12 gusht 2015.

Sipas vendimit, gjykata ia ka falur besimin ekspertizën financiare, andaj e ka detyruar palën e paditur që të kompensoj dëmin moral në shumën prej 4,000.00 euro.

Kurse, pretendimeve të palës së paditur të paraqitura në përgjigjen në padi, duke theksuar se e paditura nuk ka përgjegjësi rreth publikimit të këtij doracaku, por donatori, që do të thotë se nuk ka pasur rol aktiv, deklarimeve të cilave gjykata nuk ua ka falur besimin nga vet fakti se IGJK-ja ka qenë bartëse e projektit, ndërsa USAID vetëm donator dhe ndihmues i implementimit të këtij projekti.

Ndërkaq, gjykata thuhet se ka refuzuar kërkesëpadinë e palës paditëse mbi shumën e aprovuar, respektivisht në shumën prej 1,100.00 euro ngase duke u bazuar në raportin e ekspertizës financiare të punuar nga eksperti Aziz Berisha, është konstatuar se vlera e dëmit, të cilin e ka pësuar pala paditëse si rezultat i shkeljes së të drejtave autoriale.

“Gjykata e ka shqyrtuar raportin e ekspertizës së ekspertit në fjalë dhe ka ardhur në përfundimin se ekspertiza është punuar në mënyrë profesionale, është në masë të mjaftueshme e arsyetuar dhe se shuma e konstatuar nga eksperti është adekuate me dëmin, i cili i ishte shkaktuar palës paditëse me shkeljen e të drejtave autoriale”, thuhet në vendim të gjykatës. /BetimipërDrejtësi