Votohet përbërja e komisionit të provimit të jurisprudencës, opozita thotë se propozimi i kryetarit është i kundërligjshëm e anëtarët tjerë janë të papërvojë

IMG_1887
Author

Raporton: Albijona HOXHAJ

Qershor 9, 2021

Prishtinë – Përkundër kundërshtimit të deputetëve nga opozita, Komisioni për Legjislacion në kuadër të Kuvendit të Kosovës, ka votuar të mërkurën përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Komisioni i ri i propozuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe i cili u miratua në Komisionin për Legjislacion është në përbërje nga Albert Zogaj si kryetar i komisionit dhe anëtarët Valbona Disha-Haxhosaj, Zenel Leku, Hajriz Hoti, Edije Sezajeri, Halide Reka dhe Bajram Miftari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundërshtime për këtë përbërje të komisionit patën deputetët e opozitës.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kundërshtoi propozimin e gjyqtarit Albert Zogaj që të jetë kryetar i këtij komisioni pasi tha se një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin. Ai tha se edhe kandidatët tjerë nuk i përmbushin kërkesat që të jenë në këtë komision.

“Albert Zogaj, është anëtari më profesional, me një CV të pasur, mirëpo angazhimi i tij bie në kundërshtim me ligjin, ja ndalon ligji pasi ai mban edhe pozita tjera”, ka thënë Beqa.

Ndërsa, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se ka menduar se kjo qeveri do të ndërrojë qasje dhe do sjellë njerëz kredibil por sipas tij, përveç që kandidatët nuk i përmbushin kërkesat, ka prej tyre që janë edhe me masë disiplinore.

“Përveç kryetarit që është propozuar e që e ka një CV të pasur, të tjerët janë me gjysmë faqe CV”, ka thënë Selmanaj.

Tutje, ai ka shtuar se këta kandidatë nuk munden t’i testojnë juristët e rinj pasi nuk janë të përgatitur dhe se përvoja e punës nuk është e duhura për këto pozicione.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se provimi i jurisprudencës është gjykatë e juristëve dhe se përveç kandidatit për kryetar, të tjerët sipas tij nuk kanë përvojë.

“Mendimi ynë është që kjo listë të pasurohet me njerëz që kanë kapacitet dhe përvojë shumë ma të madhe”, u shpreh Tahiri.

Në lidhje me atë se kandidatët duhet të kenë përvojë 12 vjeçare në sistemin e drejtësisë, deputetja nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendojse, Daorsa Kica-Xhelili ka thënë se ky nuk është konkurs dhe se është i drejtë propozimi i Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo pasi sipas saj, ky kriter shikohet në momentin e emërimit të kandidatit, ndërsa tha se nuk po e ka të qartë diskutimin për kritere dhe diskutimin për punën e mëhershme që e kanë kryer kandidatët.

“Nuk po e kam të qartë cili është kriteri, e jona është konfirmimi i përmbushjes së kritereve po a jo”, ka shtuar Kica-Xhelili.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se Ministria e Drejtësisë e ka bërë punën e vet dhe se atyre ju takon vetëm të vlerësojnë kriteret që i parasheh ligji.

“Nuk bëhet fjalë për një konkurs, është ne diskrecion të plotë të Ministrisë së Drejtësisë për të bërë propozime, Kuvendi e ka mundësinë me e miratu ose jo”, u shpreh Rrustemi.

Pas këtij debati, përbërja e propozuar nga Ministria e Drejtësisë u votua me gjashtë vota për dhe tre kundër.

Po ashtu, në këtë mbledhje u diskutua edhe për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës si dhe u formua grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sa i përket kandidatëve për anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kryetari i grupit punues, Alban Hyeni ka thënë se disa kandidatë nga radhët e komuniteteve nuk i kanë përmbushur kushtet dhe përvojën që duhet ta kenë në sistemin e drejtësisë në vendin tonë.

Kjo çështje u vendos të dërgohet në zyrën ligjore, pasi siç u tha, nuk dihet nëse marrëveshja e bërë për integrimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë nënkupton shtrirje edhe në procese tjera.

Ndër të tjera, në mbledhje u shqyrtua edhe propozimi i gjashtë deputetëve që ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, të ftohet që të flas para Kuvendit për siç ka thënë, shtrembërimin e drejtësisë në Kosovë nga ana e Bashkimit Evropian. Për këtë u vendos që t’i dërgohet një shkresë Kuvendit që të shqyrtohet si kërkesë./BetimipërDrejtësi