Ministri Sveçla thotë se parregullsitë më të mëdha ishin bërë në ndërtimet pa leje të ndërtesave kolektive

Raporton: Blerta BARKU

(Përditësuar, ora 13:55)- Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se parregullsitë me të mëdha ishin bërë në ndërtimet pa leje të ndërtesave kolekive, tejkalime të lejeve ekzistuese, të cilat praktika kishin shkaktuar  kaos në Komunën e Prishtinës.

“Parregullsitë më të mëdhaja kanë qenë në ndërtime pa leje të ndërtesave kolektive, tejkalime të lejeve ekzistuese, e që këto praktika kanë shkaktuar kaos hapësinor në Komunën e Prishtinës”, ka thënë Sveçla.

Një deklarim të tillë ministri Sveçla e ka thënë, në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, dëshmitari Sveçla ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë, por se sipas tij, mund të ketë harruar ndonjë detaj, ngase tashmë kanë kaluar 8 vite nga fillimi i këtij gjykimi.

Sveçla tha se në fund të vitit 2013 ka marrë detyrën drejtor i Inspektoratit në Komunës së Prishtinës dhe se detyrat e tij kanë qenë të shumta.

Ai tha se si pjesë e kabinetit të kryetarit të Komunës ka qenë i obliguar që të plotësojë, të  kujdeset se të gjitha ligjet dhe rregulloret komunale, të cilat janë mbuluar nga Inspektorati i Komunës të Prishtinës, të mbulohen do të thotë të sigurojë ligjshmërinë në drejtori.

Prokurorja Shamolli e pyeti lidhur me disa ndërtime pa leje, nëse i kujtohet se për çfarë bëhet fjalë.

“Kam kërkuar raport për ndërtimet pa leje nga përgjegjësit e zonave pasi ka qenë e ndarë në zona për gjendjen aktuale lidhur me ndërtim e Komunës së Prishtinës. Sa më kujtohet raportet në fillim kanë qenë cungume dhe është dashur të bëhet verifikim dhe pastaj është vërtetu një gjë që është ditur botërisht që ka shumë ndërtime dhe po zhvilloheshin shumë ndërtime pa leje në Komunën e Prishtinës”, tha Sveçla.

Ai deklaroi se nga aktivitetet e tij në terren, ishin vlerësimi i situatës, ndërsa theksoi se ka pasur parregullsi.

“Parregullsi më të mëdhaja kanë qenë ndërtimet pa leje të ndërtesave kolektive, tejkalime të lejeve ekzistuese që këto praktika kanë shkaktuar kaos hapësinor në Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Ministri u pyet nëse ishin inspektorët apo kompetent për të paraqitur rastin lidhur me këto parregullsi, për të ardhë deri tek ndalimi i tyre.

“Po, drejtori Inspektoratit është menaxher ndërsa përgjegjës drejtpërdrejt zyrtarët që kanë pasur për detyrë ndërmarrjen e veprimeve ligjore,”, shtoi Sveçla.

I njëjti tha se në dosjet e lëndës që i ka pranuar, sa i kujtohet ka pasur vendime për ndërprerje të punimeve, ka pasur edhe raste kur ka vazhduar edhe përkundër vendimit për ndërprerje.

“Po, sa më kujtohet ka pasur vendime për ndërprerje të punimeve, ka pasur edhe raste kur ka vazhduar edhe përkundër vendimit për ndërprerje”, tha ai.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi e ballafaqoi atë me procesverbalin 5 prillit 2016.

“I pyetur se cili person është i detyruar ta udhëheq procesin e rrënimit dhe të udhëzojë kompaninë se çka duhet të rrënoi apo jo, jeni përgjigjur është inspektori i zonës apo i rastit. A është e saktë?”, tha Krasniqi.

Dëshmitari tha se kur thotë se qëndron pas deklaratave e mendon në kontestin që nuk e thotë të pavërtetën.

“Kurse, në çështjen e teknikaliteteve duhet të merrni ekspert që analizon dokumentacionet për shkak se ka 8 vite ose 6 vite saktë që nuk i kam këto dokumente në dorë”, theksoi Sveçla.

Sipas procesverbalit, të njëjtin avokati Krasniqi e pyeti dëshmitarin se “A është i obliguar shefi të dalë çdo herë në terren për rrënim e objekteve, përgjigja ka qenë jo? A është e saktë?”, ai e pohoi këtë gjë.

Më pas, ai u pyet nëse gjatë punës sa ka qenë drejtor i Inspektoratit, a ka pasur ndonjë vërejtje qoftë nga qytetarët, qoftë nga ndërtuesit lidhur me punën e Ismet Halitit.

“Unë kam pasur me mijëra vërejtje-ankesa nga qytetarët për ndërtime pa leje, por nuk e di nëse ka pasur për të akuzuarin konkret që e përmendët Ismet Haliti”, u përgjigj ai.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Abdullahu, avokatit Ali Beka,  dëshmitari tha se në pozitën e drejtorit të Inspektoriatit ka qenë deri sa ka dhënë dorëheqje më 2016.

Më pas, ai u pyet nëse i kujtohet deri në këtë vit procedura e objekteve pa leje, tejkalim i lejeve e të tjera, çfarë ka ndodhur, a  janë pajisur me leje.

I njëjti tha se ka qenë me rëndësi që degradimi të mos vazhdojë, ndërtimet pa leje janë ndalë edhe duke rrënuar një pjesë të objekteve që po flitet, me kapacitet e Inspektoratit që kanë mbetur atëherë në Komunë.

“Flasim për një periudhë në fillim është dashur të ndalen ndërtimet pa leje, që degradimi të mos vazhdojë, kjo është arrit përmes rrënimit të një pjese të objekteve për të cilat po bëhet fjalë dhe  normalisht në vazhdimësi me kapacitet që kanë mbetur në Inspektorat të Komunës jemi munduar të kthejmë ligjshmërinë në këtë fushë. Prioritet për mu ka qenë që ndërtimet pa leje të mos vazhdojnë të ndodhin siç ka qenë praktikë më herët”, tha ai.

I pyetur nëse është pajisur ndonjë objekt me leje që është objekt i aktakuzës, ai ka thënë se rastet e veçanta nuk i di, por natyrë e ndërtimit pa leje të gjetura në atë kohë kanë qenë kundërshtim me plane rregullative dhe hapësinore, kanë qenë kundërshtime të ndërtuara me ligje apo kanë qenë ikje e përmbushjes obligimeve financiare të ndërmarrjeve të ndërtimit.

“Arsyet se disa ndërtime kanë qenë të ndërtuara pa leje, kanë qenë të ndryshme dhe unë besoj që me plotësim të kushteve ndonjëri mund të marrë leje, por kjo nuk ka qenë subjekt i Inspektoratit, kjo është çështje e një drejtorie krejt tjetër”, theksoi Sveçla.

Tutje, i njëjti u ballafaqua me deklaratën 5 prill 2016, ku ishte përgjigjur se një pjesë e tyre është pajisur me leje një pjesë e tyre është zhvilluar procedura e rregullt, një pjesë është në procedurë ankimore dhe një pjesë të këtyre objekteve është procedurë të legalizimit.

Lidhur me këtë, dëshmitari deklaroi se kjo është e saktë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mërgim Shala, avokati Valdrin Behrami e pyeti nëse ka mundur inspektori të veprojë pa një urdhër paraprak të shefit të inspektorëve sa i përket rrënimeve.

“Nuk besoj, me sa më kujtohet inspektori i ndërtimit nxjerr vendimin për rrënimin dhe pastaj e dërgon tek shefi i inspektorit dhe që pastaj rrënimi ekzekutohet”, tha ai.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Sveçla ka pohuar se kur e ka pranuar detyrën e Drejtorit të Inspektoratit, tani të akuzuarit në këtë çështje i ka gjetur si inspektorë apo në funksionet të cilat i kanë pasur.

Po ashtu, ka pohuar që edhe këta inspektorë të cilët janë të akuzuar për punën e tyre kanë bërë një raport për gjendjen e objekteve në terren, në zonën të cilën e kanë mbikëqyrur.

Gjithashtu, ka pohuar se çdo inspektor zonën të cilën e ka mbuluar dhe ka raportuar, ka pasur njohuri për ndërtimin e objekteve pa leje në atë zonë.

I pyetur a keni njohuri se pjesë e akuzës janë disa objekte të cilat janë pas pallatit të sportit, sot ku i ka zyrat NLB?  Dëshmitari tha jo, por për të gjithat zona pak a shumë ka pasur njohuri..

I pyetur nëse e ka njoftuar dikush se është lejuar ndërtimi apo është pajisur ndonjë objekt pa leje, i njëjti tha se objektet e ndërtuara pa leje tërësisht nuk ka njohuri që janë pajisur me leje, ndërsa rregullimi i ndonjë tejkalimi po.

Po ashtu në seancën e së mërkurës  ka dëshmuar investitori Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”.

Ai ka thënë se është në fillim të projektit e ka kërkuar lejen për 30 kate, mirëpo për shkak të pamundësisë dhe sigurisë e ka tërhequr kërkesën dhe e ka kërkuar për vetëm 22 kate, sipas tij, deri tash janë ndërtuar 14 kate ndërsa ana tjetër 9 kate.

Ai tha se në fund e ka marrë lejen për 22 kate dhe se për këtë kishte paguar tatim 1 milion e 200-300 euro në emër të taksës për leje.

Tutje,  ai tha se ka pasur njëherë problem me Ismet Halitin për arsye  se i njëjti  kishte sjellë policinë ku i ishin vendosur shiritat e ndalimit të punimeve tek ndërtimi i tij, sipas tij edhe pse ky i kishte thënë paraprakisht ka leje mirëpo ai nuk e kishte kuptuar dhe se ishte kthyer për të ia treguar lejen.

Sipas tij shiritat i kishin larguar afërsisht pas një ore deri sa i kishte shkuar të marrë vendimin prej komunës që e ka bërë pagesën për ta dëshmuar.

Deklaroi se  në fillim leja ndërtimore ka qenë  për 22 kate, ku pagesa për leje do të bëhej në disa pjesë,  ku për disa kate ishte kryer pagesa varësisht të mjeteve që kishte në dispozicion, pagesa këto të kryera përmes bankës.

I pyetur rreth pozitës që ka punuar i akuzuari Ismet Haliti në atë kohë, dëshmitari  Sadiku tha se beson se ka qenë inspektor.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të komunës, avokatit Arbër Istrefi , dëshmitari tha se në rastin konkret ai ka qenë investitor ndërsa prona ka qene e kompanisë ShPK “NAZI”.

Po ashtu ai tha se me kërkesën e tij  ka kërkuar  lejen e legalizimit  për qendrën tregtare në objektin që ka pasur të ndërtohet në  8 kate, kurse ka bërë  kërkesë për ndërtimin e vetëm  5 kateve dhe të zgjerohet poshtë,  e cila kërkesë është aprovu dhe ashtu i është  dhënë leja.

I ballafaquar me vendimin për legalizimi të datës 3 dhjetor 2021 në të cilën shkruan  “Kërkuesit Nazi ShPK dhe Sylejman Kuka të cilët kanë kërkuar nga drejtoria e urbanizmit/sektori i legalizimit, legalizimin e pjesës se tejkaluar të ndërtesës të ndërtuar në kuadër të parcelave…”,  po ashtu në të njëjtin vendim theksohet  tejkalim në gabarite. A kemi të bëjë me tejkalim të lejes apo është gabimisht e theksuar në lejen për legalizim.

Dëshmitari u përgjigjë që kjo kërkesë mund të jetë 2 -3 vitet e fundit  për arsye se është blerë  edhe një pronë nëse nuk gabon rreth dy ari e gjysëm nga një pronar i ri i ndërtimit Sylejman Kuka, kjo që prezentoi përfaqësuesi dhe kjo pyetje duhet ti shtrohet Sylejman Kukës.

Në anën tjetër duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësi të të akuzuarit Ismet Halit, avokatit  Ramiz Krasniqi, rreth qëllimit të ndërtimit dëshmitari Sadiku ka thënë se është e saktë se qëllimi i ndërtimit te këtij objekti ka qenë shitja e tij.

I pyetur nga avokati Krasniqi rreth pretendimeve të prokuroris “se ju për këtë objekt keni fituar dikun mbi  6 milion euro”. A është e saktë ky pretendim?  Ai tha se nëse e shikojmë si kompani nuk e di saktë ende mirëpo pasi që avokati në pyetjen e tij nëse e marrim si të saktë se ju keni  fituar këtë shumë dhe në këtë të përfshihen  edhe shpenzimet e ndërtimit, sigurisht që po.

Ai tha se materialin ndërtimor për ndërtimin e këtij objekt  ka paguar dhe se komuna nuk i ka ndihmuar asnjëherë me pagesën e materialit ndërtimor në asnjë formë.

Në pyetjen e trupit gjykues se cili është komenti i juaj se në aktakuzën e prokurorisë është e precizuar në dispozitiv se “Investitori ka kryer ndërtimin e fazës së katërt të llamelës A dhe B , duke bërë tejkalim të lejes së ndërtimit në llamellën A  e dy nivele pa leje  8 dhe 9 dhe në katin e 5 dhe 6 ka 110 m2 ndërsa në katin e 7, 200 m2 si dhe ne llamellen B ka bërë 3 nivele 5,6 dhe 7 pa leje ndërtimi për të cilat konstatime është lëshuar një vendim për rrënim i datës 9 korrik 2013” për këtë dëshmitari tha se prokuroria Drita Hajdari e kishte ftuar në prokurori speciale dhe pyetur rreth këtyre konstatimeve për të cilat i është përgjigjur  që e ka gabim dhe nuk qëndrojnë të njëjtat konstatime.

Po ashtu i njëjti tha se mundet të i sjelle një kopje të dosjes lidhur me këtë objekt që nga kërkesa e tij e parë e deri në fund të procesit.

Në fund dëshmitari Sadiku deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna më parë në gjykatë.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua më 13 qershor.

 

Ministri Sveçla dëgjohet në cilësi të dëshmitarit në gjykimin ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Prishtinë- Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion.

Ministri Sveçla, ishte paraparë të dëgjohej në seancën e 6 majit, mirëpo zyrtarja e tij kishte njoftuar gjykatën se i njëjti e ka të pamundur të jetë  në gjykatë, për shkak të një takimi të rëndësishëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, në seancën  e 15 dhjetorit 2021, prokurorja Hajdari  e ka ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi siç tha ajo.

Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.

Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, prokuroja tha se të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Ne pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë,  për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.

Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim  dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë