MILAIM VESELI MBROHET NË HESHTJE, DY TË AKUZUARIT E TJERË NUK E PRANOJNË FAJËSINË PËR VEPRËN PENALE LËNDIM I LEHTË TRUPOR
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarëve Milaim Veseli dhe Selim Veseli të cilët akuzohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje” dhe Bajram Muharremi i cili akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Në këtë shqyrtim gjyqësor, sa i përket veprës penale që ngarkohet i akuzuari Milaim Veseli deklaroi se do të mbrohet në heshtje. Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë Selim Veseli dhe Bajram Muhaxheri deklaruan se do të paraqesin mbrojtjen e tyre, por nuk e pranuan fajësinë për veprën penale që u ngarkohet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Sipas pikës 1 të aktakuzës Milaim Veseli dhe Selim Veseli akuzohen në bashkëkryerje për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës sepse me datë 1 shtator 2013 në parkingun e restaurantit “Kulla” në Ferizaj, gjer sa ishin në një dasëm, ka filluarnjë mosmarrëveshje verbale në mes të Milaim Veselit dhe Enver Muharremit – vëllau i tani të akuzuarit Bajram Muharremi , për shkak që dikush ka gjuajtur një shishe të birrës në sofrën ku ishin duke pirë të pandehurit, ku pastaj ata kanë dal në parkingun e restaurantit , dhe aty ka filluar rrahja, ku Milaim Veseli e ka goditur me grushta Bajram Muharremin, ndërsa djali i tij Selim Veseli e ka goditur me shishe të birrës në kokë, ku nga kjo goditje i dëmtuari pëson lëndime të lehta trupore dhe atë plagë shqyese e ndrydhëse në regjionin parietal të kokës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Pika 2 e aktakuzës e ngarkon të pandehuri Bajram Muharremi me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse në kohën dhe vendin e njejtë (në parkingun e restataurantit “Kulla” në Ferizaj, gjer sa ishin në një dasëm, ka filluar një mosmarrëveshje verbale në mes të Milaim Veselit dhe Enver Muharremit – vëllau i tani të akuzuarit Bajram Muharremi, ashtu që ata pastaj kanë dal në parkingun e restaurantit kanë filluar të rrahen ku i pnadehuri Bajram Muharremi i ka goditur tani të bashkëakuzuarit e tij- të dëmtuarit Milaim Veseli dhe djalin e tij Selim Veseli me grushta në pjesë të ndryshme të kokës, ku nga pasojat e kësaj goditjeje të dëmtuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.