“Migros” tërheq padinë ndaj Ministrisë së Financave, thotë se tash kanë arritur marrëveshje për çështjen

Rasti i Migros 19.03.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Mars 19, 2019

Prishtinë – Kompania “Migros”, të martën, ka vendosur që të tërheq padinë e ushtruar në vitin 2016, ndaj Ministrisë së Financave për shkak të një gjobe të shqiptuar ndaj kësaj kompanie dhe pronarit të saj, në vlerë prej 5200 euro.

Shkak i tërheqjes së padisë ndaj kësaj ministrie, sipas përfaqësuesit të “Migros”, Ymer Bardhit ishte arsyeja që kjo kompani nuk ka interes juridik për këtë çështje pasi që kanë arritur marrëveshje me Ministrinë lidhur me këtë gjobë, e cila ishte shqiptuar pasi që kjo kompani nuk kishte paraqitur brenda afatit Pasqyrat Financiare të Audituara.

Në këto rrethana, gjykatësja Lirije Maksutaj, për këtë konflikt administrativ tha se do të pezullojë procedurën.

“Migros Group” dhe pronari i saj Avni Ramosaj, kishin paraqitur padi më 31 gusht 2016, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, respektivisht në Departamentin Administrativ ndaj vendimit të Ministrisë së Financave me të cilin kjo kompani dhe pronari i saj Ramosaj, ishin gjobitur në vlerë prej 5200 euro gjobë.

Gjoba e shqiptuar nga kjo ministri kishte qenë për subjektin në fjalë në vlerë prej 5000 euro, ndërsa për pronarin e kësaj firme Avni Ramosaj, kishte pasur gjobë në vlerë prej 200 euro.

Arsyeja e gjobës sipas padisë, konsiston të jetë mos paraqitja e pasqyrave financiare të audituara me kohën e paraparë me dispozita ligjore të Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Andaj ndaj këtyre gjobave, paditësi kishte vendosur që të paraqes padi në gjykatë, duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishin shqiptuar të njëjtat. /BetimipërDrejtësi