Miftaraj: Nëse krimet e luftës nuk janë ndjekë në Kosovë, kjo përgjegjësi i bie PDK-së

Raporton: Medina KADRIU

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se nëse krimet e luftës nuk janë hetuar, ndjekur e gjykuar në Kosovë, kjo përgjegjësi i bie direkt Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Kemi shumë fusha që për shembull kam pritë prej PDK që po flasim për një parti që së paku publikisht e pranon që është trashëgimtare e UÇK-së që në fushën e krimeve të luftës i kishin jep rëndësi shumë më të madhe. Unë besoj që nëse sot krimet e luftës nuk janë hetu, nuk janë ndjek, nuk janë gjyku në Kosovë lirisht mundem me thënë që kjo përgjegjësi i bie drejtpërdrejt PDK-së”, ka thënë Miftaraj në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas tij, sot Prokuroria Speciale e  Republikës së Kosovës (PSRK) është me tre prokurorë që i hetojnë krimet e luftës.

“Dhe kjo ka ndodh shumë vonë, ky vendim që është marrë nëse nuk gaboj në vitin 2019, kështu që prej momenti që i kemi  marrë kompetencat prej EULEX në 2015, kur kemi marrë PSRK me menaxhu prokurorët vendorë, ne si të themi kemi bërë sehire dhe s’jemi marrë me këtë punë fare duke i mundësu që krimet e luftës sot edhe në vitin 2022, të gëzohemi kur brenda një viti arrestohen tre apo katër vet që kanë kryer krime lufte në vitin 1999”, ka  thënë ai.

Miftaraj shtoi se edhe në fushat tjera nuk është që kanë dhënë mbështetjen e duhur sistemit gjyqësor dhe prokuroria me mbështetje financiare.

“Por, çka deshta me dalë është që mbështetja financiare, gjyqtarë më shumë, prokurorë më shumë, staf mbështetës më shumë nuk do të thotë domosdo edhe rezultate konkrete, ngritje të efikasitetit. Në pesë vitet e fundit është rritë buxheti për gjyqtarë, për prokurorë, janë rritë pagat, janë përmirësu kushtet, sot gjyqtarët e prokurorët kanë makina luksoze nëse e shihni, domethënë i kanë të gjitha kushtet për të bërë një punë të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës, por fatkeqësisht shtimi i buxhetit, shtimi i jetesës ose gjendjes financiare të tyre po përkthehet me dembelizëm”, ka thënë Miftaraj.

Tutje, ai tha se përkundër që është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, në vend se të rritet numri i lëndëve që janë zgjidhur, ka ndodhur e kundërta, ku ka pasur numër më të vogël të lëndëve të zgjidhura.  /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë