Miftaraj: Neglizhenca e institucioneve kosovare ka bërë që të mos realizohen rreth dy miliard euro kontribute pensionale të kosovarëve që kanë punuar në ish-Jugosllavi

qnj-konferenca (1)
Author

Raporton: “Betim për Drejtësi”

Janar 27, 2021

Prishtinë – Në Konferencën virtaule me temën “Sfida ligjore të pensionistëve në Kosovë”, të organizuar në Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), Drejtori Ekzekutiv i IKD-së Ehat Miftaraj, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj të drejtave të pensionistëve

Miftaraj, gjatë kësaj konference tha se duke marrë parasysh se tashmë ka një rast të gjykuar nga Gjykata Evropiane për Drejtat e Njeriut, i njohur si “Rasti Grudiq, më të cilin shtetas të Kosovës kanë fituar të drejtën për pensionet e kontributeve të tyre të dhëna në ish-Jugosllavi, institucionet kosovare nuk e kanë shfrytëzuar këtë vendim, në mënyrë që ky vendim të aplikohet edhe te shumë pensionist të tjerë të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi, po ashtu gjatë viti 2019 ka pasur disa takime me Institucionin e Avokatit të Popullit, me z.Meta, me kategori tjetër të pensionistëve, përmes të cilave jemi munduar të kuptojmë sesi t’ju ndihmojmë për t’i realizuar të drejtat e tyre që dalin nga një vendim i Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ku e kemi pasur një kosovar që e ka fituar rastin dhe e ka obliguar në një farë mënyre Serbinë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të pensionistëve kosovarë, për kontributet që kanë dhënë do me thënë para luftës, në një shumë përafërsisht prej dy miliard euro të cilat pensionistët apo kosovarët kanë dhënë kontribute pensionale në Serbi, e të cilat fatkeqësisht nuk kemi munduar asnjëherë t’i realizojmë dhe këtu prapë duhet të them se kjo ka qenë si neglizhencë e institucioneve tona të cilët nuk e kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje”, tha Miftaraj.

Përpos kësaj çështje, Miftaraj po ashtu tha se nga monitorimi i IKD-së në të gjitha gjykatat e Kosovës, është duke u vërejtur se është bërë një praktikë që komunat nuk janë duke bërë zbatimin e Kontratës Kolektive, duke mos ndarë buxhet për pensionistët të cilët kanë të drejtë në tri paga jubilare dhe ato të daljes në pension dhe këta pensionist, këtë të drejtë e fitojnë pas shumë procedurave gjyqësore.

“Një pikë tjetër që besoj se është aktuale dhe po ashtu ndërlidhet kryesisht me pensionistët e ri, qytetarët e Kosovës që dalin në pension, si Institut i Kosovës për Drejtësi, gjatë monitorimit të punës së seancave gjyqësore në Gjykatat e Kosovës, po edhe në zbatimin e ligjeve, të Kontratës Kolektive që është në fuqi për institucionet e caktuara, kemi vërejtur se po thuajse se për shkak të mos menaxhimit të duhur, mos administrimit të duhur, mos planifikimit të duhur nga ana e Komunave, çdo pensionit i ri që del në pension, i takojnë do me thonë ato të drejta siç janë tri paga të fundit, apo të drejta të tjera që dalin nga dalja në pension, dhe këto të drejta nuk mund t’i realizojnë për arsye se komunat nuk parashohin buxhet për vitin kalendarik të caktuar. E çka ndodh në praktikë, të gjithë ata që dalin në pension janë të obliguar ta padisin komunën, të shkojnë përmes proceseve gjyqësore, dhe pastaj këtë të drejtë ta realizojnë pas disa viteve, duke bërë edhe shpenzime shtesë për avokat, apo shpenzime tjera të kohës”, shtoi Miftaraj.

Drejtori i IKD-së, po ashtu tha se nga koha e themelimit të QNJ-IKD-së, kjo qendër ka ofruar ndihmë juridke për shumë pensionist të cilët përpos kërkesave të tyre për njohjen e të drejtave të pensioneve nga Serbia, kanë pasur edhe kërkesa për procedura civile e administrative, që ata kanë pasur në konteste të ndryshme.

Ai u bëri thirrje të gjithë pensionistëve nga të gjitha komunat që në rastin kur kanë nevoj për ndihmë juridike falas, të kontaktojnë me QNJ-IKD-në. /BetimipërDrejtësi