Miftaraj: Mbi 90% të gjetjeve të identifikuara nga IKD në Projektligjin e Byrosë, janë vërtetuar nga Venecia

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se pothuajse mbi 90% të gjetjeve të IKD-së lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme, janë vërtetuar në opinionin e Komisionit të Venecias.

“Në publikimin që e kemi bërë në janar të këtij viti, mundem me thanë me përgjegjësi që pothuasje mbi 90% të gjetjeve që ne si IKD i kemi identifiku në Projektligjin aktual, janë vërtetu nga Komisioni i Venecias. Titulli i publikimit ka qenë kryesisht “Byroja shtetërore, problemet juridike të Projektligjit“. Është e vërtetë që ky Projektligj ka aq shumë defekte, të cilat edhe Komisioni i Venecias i ka përmendur, ku nëse i ndajmë janë tri lidhur me mungesën e sigurisë juridike, me kufizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe çka është më e rëndësishmja është lidhur me vet mënyrën se si është propozuar për t’u zgjedhur drejtori i Byrosë, shkarkimi i të njëjtit, por edhe i stafit të Byrosë, duke përfshirë pastaj edhe problemet tjera që lidhen me mungesën e specializimit të stafit apo edhe të gjyqtarëve dhe çështje të tjera”, tha Miftaraj në “Tempus” të KTV-së.

Sipas tij, ky ligj tani edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias, ka nevojë për rihartim nga fillimi dhe se Qeveria bashkë me opozitën do të duhej të fokusoheshin tek strategjia për sundimin e ligjit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë