Mësimdhënësja kërkon kompensimin e shujtave dhe pagës jubilare, Komuna e Gjilanit thotë se kërkesa është e pabazuar
Raporton: Adelina Ajeti
Gjilan- Mësimdhënësja L.R me përfaqësues avokatin Arton Ibrahimi, ka kërkuar kompensim të ushqimit në punë dhe shpërblimin jubilar në vlerë prej 1 mijë e 335 euro e 75 centë, ndërsa pala paditëse Komuna e Gjilanit thotë se kërkesa e tillë është e pabazuar.
Deklarimet e tilla u bënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjatë seancës përgatitore, përfaqësuesi i paditëses L.R, avokati Arton Ibrahimi tha se mbeten pranë padisë bazë të 13 majit 2022.
Ibrahimi ka kërkuar nga gjykata që t’ia njohë të drejtat e kërkuara nga marrëdhënia e punës paditëses, konkretisht shpenzimin për kompensimin e ditëve të pranisë në punë dhe pagë jubilare.
Andaj, kërkoi nga gjykata që të administrohen provat e bashkëngjitura në shkresat e lëndës.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës paditëse Komuna e Gjilanit, Burim Maliqi, tha se mbetet pranë përgjigjes në padi dhe njëherit ka kërkuar nga gjykata që padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses ta refuzojë si të pabazuar sipas legjislacionin në fuqi.
Gjyqtarja Kaltrina Haliti ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditëses që në shqyrtimin kryesor të administrohen provat materiale.
Tutje, përfaqësuesit e palëve ndërgjygjësore kanë propozuar që nga seanca përgatitore të kalohet direkt në seancën kryesore për shkak të efikasitet dhe ekonomizimit të procedurës.
Më pas, gjyqtarja Haliti ka aprovuar propozimin e palëve ndërgjygjësor dhe seanca kryesore ka vazhduar me administrimin e provave materiale.
Tutje, shqyrtimi kryesor ka vazhduar me fjalën përfundimtare të përfaqësuesit të paditëses, avokatit Arton Ibrahimi i cili deklaroi se pas administrimit të provave konsiderojnë se u vërtetuan të gjitha pretendimet e tyre, andaj i ka propozuar gjykatës që të marrë aktgjykim me të cilin ia njeh të gjitha kërkesat paditëses.
Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Burim Maliqi tha se edhe më tutje mbesin pranë përgjigjes në padi si dhe thënieve të deklaruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, ku e kundërshtojnë në tërësi.
Sipas padisë së 24 dhjetorit 2020, paditësja L.R po kërkon nga pala paditëse Komuna e Gjilanit, Drejtoria Komunale e Arsimit, kompensim të ushqimit në punë dhe shpërblimit jubilar në vlerë të kontestit prej 1 mijë e 335 euro e 75 centë.
Në padi thuhet se paditësja, L.R është e punësuar si mësimdhënëse, pranë Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Selami Hallaçi” në Gjilan, është anëtare e SBASHK-ut, dhe si punëtore – mësimdhënëse, asnjëherë nuk është kompensuar nga e paditura si punëdhënëse për ushqimin ditor gjatë punës dhe pagë jubilare, edhe pse e njëjta këtë të drejtë të saj e ka kërkuar nga e paditura, e njëjta fare nuk është përgjigjur.
Tutje thuhet se paditësja nga momenti i hyrjes në fuqi të kontratës, në punë ka kaluar kaq ditë pune për vit: për vitin shkollor 2016-2017 janë 44 ditë (nga 18 prilli 2017); për vitin shkollor 2017-2018 janë 185 ditë; për vitin shkollor 2018-2019 janë 184 ditë; për vitin shkollor 2019-2020 (deri më 12 mars 2020) janë 97 ditë.
Në padi thuhet se paditësja ka përvojë pune 28 vjeçare, ndërsa paga bazë e saj është në lartësi prej 421 euro. /BetimipërDrejtësi