Mësimdhënësi kërkon nga Komuna e Vitisë kompensimin e shujtave ditore dhe shpenzimet e udhëtimit, e paditura thotë se nuk ka linjë buxhetore

2202
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shkurt 22, 2021

Viti – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka  përfunduar procedura civile në rastin ku paditësi Njazi Sahiti, po kërkon nga e paditura Komuna e Vitisë, kompensimin e shujtave ditore dhe shpenzimet e udhëtimit.

Lidhur me këtë rast, të hënën, është dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesuesi i paditësit, avokati Xhavit Haziri, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe precizimit të saj si dhe ka kërkuar nga gjykata që paditëses në emër të shpenzimeve të ushqimit për 688 ditë, të i paguaj shumën prej 1.376 euro, si dhe në emër të shpenzimeve të udhëtimit për 688 ditë, shumën prej 963.20 euro, në total shumë prej 2,339.20 euro.

Tutje, Haziri ka kërkuar nga gjykata dhe kompensimin e shpenzimeve të procedurës  dhe atë 30 euro për taksën gjyqësore, 104 euro për padi, 135 euro për përfaqësim në seancë.

Ndërsa, përfaqësuesi i Komunës së Vitisë, Ekrem Shabani, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), nuk është përgjegjëse për shujta dhe benificione të tjera të cilat parashihen, pasi që nuk është nënshkruese e kontratës kolektive.

Ai shtoi se Drejtoria e Arsimit, nuk ka të drejtë ligjore, sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, ku ky ligj i ndalon komunat që të paguajnë pagesat për shujta dhe udhëtim, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror.

Ai ka kërkuar nga gjykata që padia e paditësit të refuzohet si e pabazuar.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja e çështjes Liridona Haziri, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar, dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 31 janar 2020, dhe precizimit të saj më 16 shkurt 2021, paditësi Njazi Sahiti, po kërkon nga Komuna e Vitisë, kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe udhëtimit për  ditët e pranisë në punë.

Sipas padisë, paditësi kërkesën e tij e ka mbështetur në Ligjin e Punës përkatësisht në nenin 55  dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit përkatësisht në nenin 35 të kësaj kontrate.

Në padi thuhet se, paditësi është i punësuar pranë të paditurës si mësimdhënës, pranë SHMP “Jonuz Zejnullahu”.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës me të cilën ka kërkuar kompensimin e shpenzimeve të shujtave ditore dhe shpenzimeve të udhëtimit, por kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Prandaj, me anën e kësaj  padite paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesa e tij të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’i paguaj shpenzimet e ushqimit dhe rrugëtimit  sipas Kontratës Kolektive në shumë totale  prej 2,339.20 euro, nën kërcënimin e përmbarimit./BetimipërDrejtësi