Mes polemikave të anëtareve, KGJK miraton Rregulloren për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve

2 (2)
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 26, 2021

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen që ka mbajtur të martën ka miratuar rregulloren për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve.

Fillimisht, në mungesë të kryetares së Komisionit për Çështje Normative, Anita Krasniqi-Prenaj, një prezantim të kësaj rregullore e bëri gjyqtari Qerim Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti tha se kjo rregullore ka qenë edhe në konsultim publik, me ç’rast janë pranuar edhe komente të cilat janë marr për bazë gjatë hartimit të rregullores.

Sipas Ademajt, qëllimi i kësaj rregullore është që t’i sqarojë shumë gjëra që në rregulloren e kaluar kishin qenë të paqarta si dhe të përmirësoi procesin e vlerësimit të performancës së gjyqtares në mënyrë sa më objektive.

Qëllim tjetër i rregullores, Ademaj tha se është që edhe i njëjti të jetë në harmoni të plotë me ligjet në fuqi si dhe me aktet evropiane dhe ndërkombëtare. E rëndësishme sipas tij është në këtë rregullore edhe përbërja e komisionit për vlerësim të performancës, i cili do të përbëhet nga pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme, pesë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit dhe tre gjyqtarë nga radhët e gjykatave themelore.

Lidhur me këtë, Ademaj tha se ka pasur shqetësime në të kaluarën se gjyqtarët po vlerësohen nga kolegë të tyre të të njëjtit nivel. Risi tjetër, Ademaj tha se është edhe mënyrë se si do të zgjedhën këta anëtar të komisionit, të cilët ndër të tjera, tha se duhet të kenë edhe rezultate të shkëlqyera të vlerësimit dhe përvojë pesë vjeçare.

Sa i përket komenteve që janë pranuar lidhur me këtë rregullore gjatë fazës së konsultimit publik, gjyqtari Avni Mehmeti tha se të njëjtat kanë qenë dashur që ato komente të ju jepen edhe anëtareve tjerë të Këshillit në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi t’i vlerësojnë ato.

Po ashtu, Mehmeti pati vërejtje edhe tek neni gjashtë i rregullores ku thuhet se “Kryetari i Komisionit caktohet nga Këshilli nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, që janë anëtarë të Këshillit”. Sipas Mehmetit, ky formulim i tillë është në kundërshtim me Ligjin për KGJK.

Gjithashtu, Mehmeti pati komente edhe lidhur me vlerësimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, për të cilat tha se duhet vendosur një raport në mes të lëndëve të cilat u vërtetohen, ndryshohen apo u kthehen në rigjykim.

Sa i përket çështjes së kryesuesit të Komisionit, gjyqtari Ademaj tha se ligji nuk e parasheh ashtu siç është formuluar, mirëpo tha se në bazë të praktikës, kryetarët kanë ardhur gjithmonë nga Gjykata Supreme. Kurse, sa i përket vlerësimit të gjyqtarëve të Apelit, Ademaj tha se mund të rregullohet me udhëzues edhe pse tha se për shkak se vendimet merren në kolegj, do të jetë problem vlerësimi i gjyqtarëve në bazë të raportit të lëndëve të cilën e përmendi gjyqtari Mehmeti.

“Mundet që vet bartësi i lëndës me pas një mendim tjetër e anëtaret e kolegjit një mendim tjetër. Kujt do t’i mveshet tani lëshim, kjo paraqet problem”, tha Ademaj.

Por, sipas gjyqtarit Mehmeti, ky problem mund të mënjanohet nëse do të merreshin për bazë procesverbalet e këshillim votimit të kolegjeve në fjalë.

Komente lidhur me këtë rregullore dhanë edhe gjyqtarët Muhamet Rexha, Driton Muharremi e juristi Vilard Bytyqi.

Ky i fundit tha se është e panevojshme të ngarkohet rregullorja me çështje sikurse ajo e shkeljeve disiplinore kur për këtë punë ekziston ligji.

“Unë po propozoj kryesues me lejen tuaj, që realisht çka të kap aspektin material për çështje disiplinore duhet të vlejë vetëm ligji dhe nuk mund të detajohet me rregullore”, tha Bytyqi.

E me disa komente të dhëna nga Bytyqi dhe gjyqtari Mehmeti lidhur me çështjen e kryetarit të komisionit për vlerësim të perfomancës, gjyqtari Muhamet Rexha tha se të dy ata e kanë gabim.

“Gjyqtarët e themelores që janë të përcaktuar të jenë tre në komision, i vlerësojnë vetëm gjyqtarët e themelores, Apeli i vlerëson të Apelit dhe Themelores e Supremja të gjithë…jon disa kritere edhe për Supreme ju e dini, nuk është e rrugës, nuk është e rendit nuk është e rregullt, po unë e arsyetoj…veç e keni gabim të dytë”, tha Rexha.

E pas kësaj reagoi gjyqtari Mehmeti i cili tha se vet gjyqtari Rexha e ka gabim.

“Veç një argument po ja jepi, se ti po flet prej motivi edhe po m’vjen keq se po mundohesh mi bind anëtarët e Këshillit, tu kisha lut që 10 herë ju referove këtij neni, pikërisht për motive të caktume se po të konvenon. Vet ju referove që 10 herë këtij neni po mundohesh në kundërshtim me ligjin mi bind anëtarët Këshillit”, tha Mehmeti.

“Ja ti në këtë botë je duke ju referu ka 100 herë ja kërkush, të lutem mos hi anej, se veç ty po të ngojmë”, ishte përgjigja e Rexhës ndaj të cilës, Mehmeti reagoi duke thënë se “nuk je i detyrum mem ngu, mundesh me dal nëse don mos me ngu”.

Gjithashtu, Mehmeti tha se sipas rregullores, vendimet e Komisionit të Vlerësimit të Performancës i kontrollon KGJK nëse ka ankesë, duke shtuar se pikërisht këtu qëndron gabimi i gjyqtarit Rexha pasi sipas ligjit, nuk ka ndonjë dallim mes anëtarëve të Këshillit.

“Unë e di që pi konvenon gjyqtari Muhamet që me qenë prej Gjykatës Supreme se i ka do kolegë atje, mirëpo edhe një po du me thanë, se puna e gjyqtarit Muhamet u pa në këtë komision, shumë mirë u pa dhe vet e ka pranu se kanë çalu në vlerësim”, tha Mehmeti.

E pas këtij debati, KGJK me shtatë vota pro, dy abstenime dhe me votën kundër të gjyqtarit Mehmeti, votojë që neni 6, paragrafi 1 i rregullores të mbetet ashtu siç është propozuar nga komisioni, konkretisht “Kryetari i Komisionit caktohet nga Këshilli në parim nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, që janë anëtarë të Këshillit”.

Po ashtu, me propozim të gjyqtarit Rexha, në rregullore u shtua edhe një pikë tek neni 5 i cili flet për zgjedhën e anëtarëve të komisionit me ç’rast u vendos që anëtari i komisionit nuk mund të jetë kryetar ose kryesues i një institucioni tjetër në pajtim me ligjin. /BetimipërDrejtësi