Me vonesë fillon shqyrtimi gjyqësor kundër zyrtarëve të KEK-ut të akuzuar për korrupsion, dëshmojnë dy dëshmitarë

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Për shkak të stërngarkesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve me seanca në të njëjtën kohë, seanca kundër tre zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Vehbi Dragusha, Ejup Grajqevci dhe Fahri Fejzullahu ka filluar me një orë e gjysmë vonesë.

Në seancën e të hënës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Faik Hoxha kanë dëshmuar për situatën në natën kritike, Bashkim Ismaili dhe Rexhep Murati.

Dëshmitari Bashkim Ismaili deklaroi se gjatë asaj nate nuk ka parë asgjë të dyshimtë dhe as nuk ka parë thyerje të derës së depos.

Dëshmitari Rexhep Murati deklaroi se natën kritike kam qenë në patrullë, por që nuk kishte parë ndonjë person të paautorizuar në afërsi të depos.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës kjo seancë u ndërpre, ndërsa e njëjta do të vazhdoi me 18 nëntor 2016, në ora 13.15.

Ky gjykim po zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Prokuroria pretendon se të akuzuarit Vehbi Dragusha, Ejup Grajqevci dhe Fahri Fejzullahu kanë kryer veprën penale “përvetësim në detyrë”. Sipas prokurorisë Dragusha dhe Grajqevci dyshohen se derisa ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në KEK si depozitues të materialit në kuadër të Depos së Materialit për Servisim të Divizionit të Thëngjillit, së bashku me Fejzullahun si dhënës i materialit, kanë marrë 245 kilogram ngjitës për shirita të thëngjillit, duke i shkaktuar kështu Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dëm në shumën prej 5.115 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë