Me vdekjen e të paditurës ndërpritet procedura në rastin e vërtetimit të pronësisë̈

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan e ka ndërprerë procedurën civile përmes së cilës paditësi D.J. po kërkon vertetimin e pronësisë nga e paditura S.S, me rastin e vdekjes së kësaj të fundit.

Gjykatësi Isa Gashi pas shiqimit të shkresave të lëndës ka konstatuar se nga kundërshtarja e sigurimit askush nuk është ftuar.

Ndërsa, ka thënë se Policia e Kosovës stacioni në Lipjan me shkresë ka njoftuar gjykatën se sipas disa të kontaktuarve e paditura S. ka vdekur para shumë vitesh, ndërsa familja e saj është shpërngulur në vend të panjohur në Serbi.

Andaj, gjykata përmes aktvendimit procedurën kontestimore të ushtruar nga paditësi J. ndaj të paditurës S. për vërtetimin e  pronësisë e ka ndërprerë.

Gjykatësi Gashi ka thënë se, procedura për vërtetim pronësie në paluajtshmeri do të vazhdohet kur trashëgimtarët apo kujdestari i pasurisë të marrë përsipër trashëgimin apo kur gjykata do t’i thërras më propozim të palës.

Ndryshe, e pranishme në këtë seancë ishte përfaqësuesja e plaës paditësve, avokatja Nazmije Aliu.

Sipas padisë së ushtruar me propozim për lëshimin e masës së përkohëshme siguruese më 28 mars 2022, paditësi D.J po kërkon vertetimin e pronësisë nga e paditura S.S.

Në padi thuhet se, paditësi J. është në posedim faktik të paluajtshmërisë në vendin e quajtur “Zelenish” në sipërfaqe totale 3877 m2, në Komunën e Lipjanit e cila evidentohet edhe më tutje në emër të S.S e regjistruar në qertifikatë tëdatës 11 korrik 2016.

Sipas padisë, paditësi e ka blerë paluajtshmërinë kontestuese në vitin 1980 dhe paditësi të gjitha të hollat i janë paguar shitëses dhe atë në shtëpi të paditësit në shumën prej 3800 denar në tërësi.

Në padi thuhet se, me rastin e shitblerjessë kësaj paluajtshmerie nuk është përpiluar kontratë formale më shkrim ashtu siç parashihet me ligjë, por pagesa është bërë në bazë të marrëveshjes gojore.

Tutje, sipas padisë, pas pagesës së çmimit shitblerës paditësi menjëherë ka hyrë në posedim faktik të kësaj  paluajtshmërie e të  cilin posedim faktik e ka bërë pa ndërprerë me mirëbesim dhe nuk është penguar nga askush që 42 vite.

Siç thuhet në padi paditësi asnjëherë nuk ka pasur problem rreth posedimit të paluajtshmërisë, fillimisht nuk e ka bërë bartjen e pronësisë, ndërsa më vonë kur është insteresuar e paditura është shpërngulur dhe tani është me vendbanim të panjohur.

Andaj, mbi këtë bazë paditësi nga gjykata po kërkon që përmes aktgjykimit të miratohet në tërësi kërkesëpadia e tij si e bazuar dhe të obligohet e paditura që të njëjtit t’ia njoh të drejtën e pronësisë në parcelën kontestuese./BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë