Më shumë se një vit prej se Gani Geci u shpall fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, Apeli ende pa vendim

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Është bërë më shumë se një vit prej se Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka shpallur fajtor ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Gani Gecin, lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014, ndërsa Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 qershor 2021, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, sipas të dhënave që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ankesë kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar Prokuroria, i dëmtuari dhe vet i akuzuari Geci.

Po ashtu, sipas këtyre të dhënave, rezulton se në Gjykatën e Apelit kjo lëndë është pranuar më 7 dhjetor 2021, e që prej kësaj date deri më sot Apeli ende nuk ka marr ndonjë vendim.

Ndërsa, Gjykatës Themelore në Mitrovicë, iu deshën plotë 6 muaj e 3 ditë për të dërguar lëndën në Apel.

Gani Geci akuzohej edhe për veprën e përdorimit të armës. Mirëpo, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Sipas aktakuzës, Gani Geci e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014./BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë