Me pretendimet se është larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme, paditësja po kërkon kthimin në vendin e punës në kompaninë e sigurimeve

54462649_2339007459663836_6769447484512010240_n
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 8, 2021

Prishtinë – Paditësja Emel Bukoshi, me pretendimet se i është shkëputur kontrata e punës në mënyrë joligjore, ka paditur Kompaninë e Sigurimeve Insig SH.A., nga e cila po kërkon kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave dhe kontributet.

Lidhur me këtë çështje kontestimore, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kurse, ky gjykim është mbajtur pa praninë e të paditurës Kompania e Sigurimeve Insig Sh.A., për mungesën e së cilës gjykatësi Ylber Shurdhiqi konstatoi se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa në këtë seancë, i autorizuari i paditëses Emel Bukoshi, avokati Baton Bukoshi, ka deklaruar se mbeten në tërësi pranë padinë dhe kërkesëpadisë.

‘‘Nga provat që gjenden në shkresat e lëndës vërtetohet baza juridike e kësaj kërkesëpadie, bazuar në  kontratën e punës, në njoftimin dhe vendimin e dhënë nga e paditura, ankesën dhe përgjigjen në ankesë, të gjitha këto të kryera në procedurën e rregullt’’, tha Bukoshi.

Ai shtoi se, meqenëse ndërprerja e kontratës së punës nga e paditura, sipas tij është bërë në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet në tërësi si e bazuar, ashtu që të anulohet vendimi i të paditurës me nr. protokolli 192 të 01 dhjetorit 2017 dhe të detyrohet e paditura Kompania e Sigurimeve Insig SH.A., që paditëses t’ia paguajë pagat dhe kontributet prej datës së ndërprerjes së marrëdhënies së punës derisa sa të ekzistojnë kushtet ligjore nën kërcenim të ekzekutimit të dhunshëm.

‘‘Sa i përket vërtetimit të lartësisë së pagave të cilat i kërkojmë me anën e kësaj kërkesëpadie, i propozojmë gjykatës nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare me anë  të së cilës, eksperti do të vërtetojë lartësinë e pagave të cilat i kanë takuar paditëses’’, propozoi avokati Bukoshi.

Tutje, Bukoshi deklaroi se sa i përket të paditurës Kompania e Sigurimeve Insig Sh.A. – në likuidim, me likuidator Z. Nezir Lokaj, kanë bërë kërkesë për kompensimin e pagave të cilën e ka pranuar likuidatori me 21 qershor 2019 me nr. protokolli 296, por për të njëjtën kërkesë nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

‘‘Andaj, meqenëse e paditura është në likuidim dhe bazuar në Ligjin për Sigurimet nr. 05/L-045, neni 100 lidhur me nenin 104, paragrafi 10, ku ceket se likuidatori ka të drejtë të paraqes padi dhe të mbrohet kundër padive në gjykata të rregullta, në emër të siguruesit në likuidim dhe meqenëse e njëjta edhe pas thirrjes së gjykatës në këtë seancë nuk prezanton, ne mbetemi në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë si dhe propozimeve të lartcekura’’, tha avokati Bukoshi.

Pas kësaj, gjykatësi Shurshiqi me anë të aktvendimit bëri të ditur se, sa i përket propozimit të autorizuarit të paditëses për nxjerrjen e provës së ekspertizës financiare, gjykata do të vendos jashtë seance dhe njëkohësisht jashtë seance do të vendos eventualisht për ndërprerjen e kësaj procedure për shkak se e paditura është në likuidim.

Ndryshe, me padinë e ngritur më 28 dhjetor 2017, paditësja Emel Bukoshi po kërkon anulim të vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kthim në vendin e punës dhe kompensim të pagave nga e paditura Kompania e Sigurimeve Insig SH.A.

Në padi, thuhet se paditësja Emel Bukoshi, ka qenë në marrëdhënie pune në Kompaninë e Sigurimeve Insig Sh.A., prej muajit qershor 2016 në pozitën e Administratores në Sektorin Juridik pranë Drejtorisë Ligjore, ndërsa më 1 dhjetor 2017 prej Drejtorit të Kompanisë, Z. Art Gashi, ka pranuar njoftimin me nr. protokolli 1930 për ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Sipas padisë, me të njëjtën datë paditësja ka pranuar vendimin nga e paditura me nr. protokolli 192, sipas të cilit paditëses i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Tutje, në padi, thuhet se paditësja ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të lartpërmendur, por që ka marr përgjigje në ankesë nga e paditura më 7 dhjetor 2017, sipas të cilës ankesa është e pabazuar.

Mbi bazën e të cekurave më lartë, me pretendimin e palës paditëse, se ndërprerja e kontratës së punës është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, paditësja në padi po kërkon që të detyrohet e paditura që paditësen Emen Bukoshi, ta kthejë në vend të punës, t’ia paguajë të gjitha pagat dhe kontributet prej ditës së ndërprerjes së marrëdhënies së punës deri në kthimin në punë, me kamatë ligjore, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm, e po ashtu ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës kontestimore. /BetimipërDrejtësi