Me kërkesën e të akuzuarit, shtyhet seanca fillestare në rastin ku i njëjti ngarkohet për korrupsion

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Me kërkesë të të akuzuarit Eset Murati, i cili nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës, është shtyrë seanca fillestare të hënën, në rastin ku i njëjti në cilësinë e përmbaruesit privat, po akuzohet  për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari Murati, deklaroi se lidhur me këtë rast ka autorizuar avokatin mbrojtës Sahit Bibaj dhe i njëjti më 21 janar të këtij viti i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë me kërkesë për marrje të dokumentacionit, pasi të njëjtat i nevojiten për parashtrim të mbrojtjes në kundërshtim të aktakuzës për të pandehurin., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si rezultat i kësaj, i akuzuari Murati kërkoi nga gjykata shtyrjen e seancës së sotme derisa i njëjti të pajiset me shkresa të lëndës.

Prokurorja Merita Lumezi, deklaroi se nuk kundërshton shtyrjen e kësaj seance, edhe pse në shkresat e lëndës nuk e ka këtë kërkesë të parashtruar nga mbrojtja.

Në rrethana të tilla, seanca e sotme u shty për 18 korrik 2022.

Gjykatësja e rastit Alltëne Murseli deklaroi se për seancën e radhës palët do ftohen me ftesa të rregullta, ndërsa me ftesë të veçantë do ftohet avokati Bibaj.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë,  më 29 janar 2018, i akuzuari Eset Murati, në zyrën e tij në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë në cilësinë e personit zyrtar- përmbarues privat, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktit akuzues, i njëjti në procedurën përmbarimore në lëndën e kreditorit Arafat Krasniqi ndaj debitorit Rexhep Ostergllava-pronar i biznesit “Sheki Comerc” sh.p.k, gjatë ndërmjetësimit si përmbarues privat, në prezencën e tij, kreditori Krasniqi ka lidhur marrëveshje për pagesën e borxhit me të datës 29 janar 2018, për pagesë të borxhit të mbetur  prej 5 mijë e 71 euro e 56 centë, sipas urdhrit për përmbarim me debitorin Ostergllava.

Tutje thuhet se nga debitori Rexhep Ostergllava është paguar shuma e parave prej 2 mijë e 600 euro, në llogarinë bankare të përmbaruesit privat Eset Murati, i cili në emër të shpenzimeve i ndan për vete shumën prej 647 euro e 23 centë, ndërsa shumën prej 1 mijë e 950 euro e ka transferuar në llogarinë bankare të  kreditorit Arafat Krasniqi, duke vepruar kështu në kundërshtim  me ligjin mbi procedurën përmbarimore dhe udhëzimin administrativ 06/2014 për tarifat për shpërblimet, kompensimet për përmbarues privat, e me qëllim të përfitimit për vete, i pandehuri Eset Murati ka bërë tejkalim në përllogaritjen e shpenzimeve për kreditorin Krasniqi në shumë prej 208 euro e 93 centë.

Sipas aktakuzës, të njëjtën shumë, i pandehuri Murati e ka marrë për vete, të cilat para janë të paguara prej kreditorit dhe me një veprim të tillë i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Krasniqi në vlerë prej 208 euro e 93 centë.

Me këtë, Murati po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë