Me kërkesën e paditësit, shtyhet seanca në rastin ku kërkohet shfuqizimi i një vendimi të Komisionit për Ankesa në Policinë e Kosovës

167107927_1130330764046096_5156330661946173411_n
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 8, 2021

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesën e paditësit Arben Visoqi, është shtyrë gjykimi për rastin ku po kërkohet shfuqizimi i një vendimi të Komisionit Për Ankesa në Policinë e Kosovës.

Gjykatësi Ylber Dhurdhiqi ka bërë të ditur se paditësi Visoqi, përmes telefonit, ka kërkuar shtyrjen e seancës për datë tjetër, me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shurdhiqi, e ka aprovuar kërkesën e tij me anë të aktvendimit dhe ka shtyrë seancën për 18 maj 2021, në ora 9:30, për të cilën tha se palët do të ftohen me ftesa të rregullta nga ana e gjykatës

I njëjti gjithashtu ka konstatuar se nuk ka prezantuar askush nga pala e paditur, Policia e Kosovës, edhe përkundër faktit se ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt dhe se fletë kthesën për këtë seancë e ka pranuar më 10 mars 2021. Mirëpo, sipas gjykatësit, mungesa në seancë nuk është arsyetuar.

Ndryshe, përmes padisë së ngritur më 14 maj 2018, paditësi Arben Visoqi po kërkon të shfuqizohet vendimi 81-KA-D/2018 i të paditurës, Policisë së Kosovës, konkretisht Komisionit për Ankesa, dhe të vërtetohet shkelja e procedurave dhe mos zbatimi i dëshmive relevante e provave në dispozicion, duke kërkuar edhe të gjitha shpenzimet procedurale.

Në padi thuhet se me 5 prill 2018, Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës ka sjell vendim administrativ me nr. 81-KA-D/2018, me të cilin vendim, e ka refuzuar ankesën e paditësit ndaj vendimit 1053/KBD/2017 të Komisionit të Brendshëm Disiplinor, me të cilin vendim e ka shpallur togeren Fitore Lutfiu të pafajshme.

Andaj, paditësi duke konsideruar se vendimi i Komisionit të Ankesave të Policisë së Kosovës është sjell si i njëanshëm dhe jo i bazuar në fakte dhe dëshmi, e që sipas tij, qëllimshëm janë anashkaluar procedurat ligjore dhe provat e ofruara, po kërkon me padi shfuqizimin e vendimit të lartpërmendur. /BetimipërDrejtësi