Me kërkesë të prokurorisë dhe avokatit mbrojtës shtyhet gjykimi ndaj ish-inkasantit të “Hidroregjionit Jugor” në Prizren

119551496_2648200688772758_4160526877554569102_n
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Shtator 15, 2020

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, është shtyrë seanca ndaj të akuzuarit për veprën penale përvetësimi në detyrë, Hafir Gallopeni.

Shkak i shtyrjes së këtij gjykimi ishte se i akuzuari nuk i ka sjellë test raportet, pasi që në seancën e kaluar  kishte deklaruar se trupit gjykues do t’i dorëzojë test raportet, të cilat do të shërbenin si prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi konstatoi se të akuzuarin Gallopeni, në seancën e kaluar të mbajtur më 7 korrik 2020, e ka obliguar që t’i sjellë test raportet, për të cilat ky i fundit kishte deklaruar se i ka në shtëpi.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Hafir Gallopeni, avokati Asman Hoxha deklaroi se tek i mbrojturi i tij nuk gjendet asnjë test raport.

“Jam konsultuar me të mbrojturin tim dhe kam kërkuar nga i njëjti që ta përmbush detyrimin e tij që t’i sjell test raportet, mirëpo i njëjti nuk i ka deklaruar test raportet, me arsyetimin se tek ai nuk gjendet asnjë test raport”, theksoi avokati Hoxha.

Më tej, avokati Hoxha deklaroi se e ka shikuar deklaratën e dëshmitarit Hysni Ahmetit, të dhënë më 5 shkurt 2020, duke shtuar se lidhur me këtë e ka kuptuar se test raporti nuk i dorëzohet inkasantit, pasi që test raporti ngelet te faturisti dhe kopja e dytë e test raportit i dorëzohet arkëtarit.

Në këto rrethana, avokati Hoxha kërkoi nga trupi gjykues t’i jepet kohë shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Kërkesë të njëjtë në seancën e së martës pati edhe prokurorja Ervehe Gashi.

Gjykatësja Ajser Skenderi e aprovoi kërkesën në fjalë, duke shtuar se shqyrtimi i sotëm shtyhet për 19 tetor 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, përgjatë periudhës mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi