Me kërkesë të përfaqësuesit të BKS-së, shtyhet gjykimi për rimbursim dëmi për aksidentin e 2009-ës

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, me propozimin e përfaqësuesit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Exhmein Sinani, për të siguruar aktgjykimin penal dhe ekspertizën e komunikacionit, është shtyrë gjykimi për rimbursim dëmi, ku i paditur është Rrahim Aliu.

Në fillim të seancës, gjykatësi Binak Duqi, aprovoi propozimin e përfaqësuesit të BKS-së për shtyrje të seancës, duke i dhënë afat në kohëzgjatje prej 3 javësh që të sigurojë dëshminë nga lëmia penale për aksidentin e datës 7 prill 2009, të ndodhur në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës dhe ekspertizën e ekspertit të komunikacionit, të hartuar në lëminë penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pasi që pala paditëse të njoftojë gjykatën me anë të parashtresës lidhur me provat e kërkuara, gjykata do të ftojë palët me ftesa të rregullta”, përfundoi gjykatësi Duqi.

Në seancën e së hënës mungoi përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Mahmut Hoti, për të cilin gjykatësi Duqi tha se ftesën e ka pranuar më 3 shtator 2021, por mungesën nuk e ka arsyetuar në asnjë lloj forme.

Ndryshe, sipas padisë së datës 3 prill 2017, Rrahim Aliu është paditur nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), për rimbursim dëmi lidhur me aksidentin e datës 7 prill 2009, të ndodhur në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës.

Sipas kësaj padie, duke qenë se me ligjin nga autopërgjegjësia, BKS ka detyrim ligjor në kompensimin e dëmeve nga aksidentet në komunikacion, e rrjedhimisht duke qenë se Gjykata e atëhershme Komunale në Podujevë kishte aprovuar pajtimin gjyqësor të arritur mes palëve, më ç’rast të dëmtuarit e aksidentit ishin kompensuar në shumë totale prej 3 mijë e 729 euro.

Në bazë të këtij vendimi gjyqësor, BKS kërkon të rimbursohet për kompensimin e bërë prej 3 mijë e 729 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë