Me kërkesë të avokatit, shtyhet sërish rigjykimi ndaj tropojanit për vrasjen e rëndë në Bardhaniq

Raporton: Avni Berisha

Gjakovë – Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Col Imeraj, avokatit Meriman Vehapi, është shtyrë të martën fillimi i rigjykimit, në rastin ku tropojani Imeraj ngarkohet se në korrik të 2020-ës ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Në seancën e së martës, fillimisht prokurori Ali Uka, ka bërë ndryshimin e aktakuzës në dispozitivin e parë ku sipas tij, në fjalinë ku është shënuar “mizore” duhet të jetë “dinake”, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari nuk u deklarua rreth fajësisë, avokati Vehapi kërkoj nga gjykata që t’i jepet kohë mbrojtjes që të bëjë propozimin për arritje e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Këtë kërkesë nuk e ka refuzuar prokurori i rastit Uka, ndërsa është kundërshtuar nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar, avokatët Ndrec Doda dhe Prek Kola.

Avokati Doda tha se është i angazhuar që në fillim të këtij rasti si përfaqësues i palës së dëmtuar dhe se i akuzuari ka pranuar fajësinë në seancën e kaluar ku edhe gjykata ka shqiptuar dënimin, mirëpo rasti sipas tij, është kthyer në rigjykim jo si pasojë e shkeljeve procedurale, por për arsye të mosmarrëveshjes mes mbrojtësit dhe klientit të tij.

Ai tha se i akuzuari ka të drejtë që pranimin e fajësisë ta bëjë në të gjitha fazat deri në fjalën përfundimtare dhe se një kërkesë e tillë për shtyrje nuk lë ndjenja të mira tek familja e dëmtuar.

Sipas avokatit Doda, ekziston një qëndrim i Prokurorisë Themelore në Gjakovë që tek rastet me vepra të rënda penale nuk hyjnë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, andaj ka kërkuar nga gjykata që mosdeklarimin e të akuzuari ta konsiderojë si mospranim të fajësisë.

Ndërsa, avokati Prek Kola e ka mbështetur deklarimin e kolegut, avokatit Doda.

Pas kësaj gjykatësi Drilon Haraçia, ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 17 nëntor 2021.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Col Imerajt, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 27 vite burgim unik në maj të këtij viti.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka gjetur se pranimi i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit Imeraj nuk është bërë vullnetarisht, por është bërë pas këshillimit të pamjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

Tutje sipas Apelit, nga procesverbali i seancës fillestare rezulton se i akuzuari Imeraj nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit.

“Nga procesverbali i seancës së shqyrtimit fillestar i datës 16.04.2021, shihet se mbrojtësi i të akuzuarit e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë dhe se i akuzuari i ka përkrahur fjalët e mbrojtësit, e nga kjo rezulton se i akuzuari në pajtim të pikës 1.1 të nenit 248 të KPPRK-së nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë. Përkatësisht i akuzuari gjatë deklarimit të tij e ka pranuar fajësinë, ndërsa kur pranimin e fajësisë e ka kundërshtuar mbrojtësi i tij, i akuzuari ka deklaruar se i përkrah fjalët e mbrojtësit të tij, e që kjo paraqet konktradiktë.”, thuhet në arsyetim të aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 21 maj të këtij viti, e ka dënuar me 27 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, është dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Mirëpo, ky aktgjykim i Themelores tashmë është anuluar nga shkalla e dytë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

Imeraj akuzohet edhe për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës D.M. të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë