Me kërkesë të avokatit publik komunal, shtyhet seanca ku ish-mësimdhënësi po kërkon kompensimin e pagave jubilare

Raporton: Hajrije Krasniqi

Malishevë- Me kërkesë të avokatit publik komunal, Mujë Sahitaj, është shtyrë seanca e së premtes, në rastin ku ish-mësimdhënësi, Sejdi Hoti, po kërkon kompensimin e pagave të shpërblimit jubilar në vlerë prej 501 euro.

Lidhur me kërkesën e avokatit publik komunal të Komunës së Malishevës, gjykatësi Nehat Qelaj tha se i njëjti ka kërkuar nga gjykata që për shkaqe shëndetësore seanca të shtyhet për një ditë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Avokati publik komunal, Mujë Sahitaj, ka kërkuar nga gjykata gojarisht që seanca e sotme të shtyhet për arsye shëndetësore”, tha gjykatësi Qelaj.

Tutje gjykatësi Qelaj shtoi se meqenëse përfaqësuesi i të paditurës paraprakisht ka kërkuar shtyrjen e seancës dhe për këtë i njëjti e ka njoftuar edhe të autorizuarin e paditësit, avokatin Nuhi Krasniqi, seanca shtyhet dhe e radhës u caktua më 20 janar 2022.

Ndryshe edhe seanca e 13 dhjetorit 2021 ishte shtyrë në mungesë të avokatit publik komunal, Mujë Sahitaj.

Ish-mësimdhënësi Sejdi Hoti, më 12 mars 2021, ka paditur Komunën e Malishevës, me arsyetimin se ai ka qenë në marrëdhënie pune si mësimdhënës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Imer Krasniq”, në Carallukë, me mbi 32 vite përvojë të punës.

Sipas padisë, Komuna e Malishevës nuk ka përmbushur obligimin ligjor ndaj paditësit për kompensim të pagave jubilare pas daljes në pension.

Me kërkesëpadi, Hoti po kërkon nga Komuna e Malishevës që atij t’ia paguajë shumën në vlerë prej 501 euro e 15 centë, në emër të pagës jubilare, me kamatë ligjore prej 8% që nga dita e paraqitjes së padisë, si dhe shpenzimet procedurale në afat prej shtatë ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë