Me aktvendim të gjykatës do të ftohet në cilësinë e dëshmitarit Refki Muzbeg në rastin ku po gjykohet për korrupsion zyrtarja ligjore e MMPH

25.01.
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Janar 25, 2021

Prizren – Me propozimin e mbrojtësit të akuzuarës Hadije Kasumi, avokatit Hazër Susuri, gjykata me aktvendim ka aprovuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet zyrtari Komunal i Prizrenit, Refki Muzbegu.

Para fillimit të seancës, e cili u mbajt të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi konstatoi se më 22 janar 2021, ka pranuar nga mbrojtësi i të akuzuarës Hadije Kasumi, avokati Hazër Susuri, parashtresën me propozimin për dëgjimin e dëshmitarit Refki Muzbeg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, prokurori Mehdi Sefa u deklarua se e kundërshton parashtresën e avokatit Susuri për dëgjimin e dëshmitarit në fjalë, duke shtuar se në dispozitivin e aktakuzës është kontestuese mos kërkimi i dokumentacionit nga ana e të akuzuarës nga Komuna e Prizrenit.

“Kërkojmë të refuzohet propozimi i avokatit mbrojtës për dëgjimin e dëshmitarit Refki Muzbeg, me që në dispozitivin e aktakuzës gjegjësisht në objektin e saj, është kontestuese dhe objekt mos kërkimi i dokumentacionit nga ana e të akuzuarës nga Komuna e Prizrenit, gjegjësisht nga Drejtoria për Urbanizëm dhe çështje banesore lëndën e Driton Morinës, me rastin e vendosjes në shkallë të dytë, kurrsesi nuk mundet me qenë kontestues në këtë rast se a ka pranuar konkluzionin apo nuk e ka pranuar”, deklaroi prokurori Sefa.

Në këto rrethana, mbrojtësi i të akuzuarës Kasumi, avokati Hazër Susuri e kundërshtoi deklarimin e prokurorit Sefa, me arsyetimin se pretendimet e prokurorit në fjalë janë të pabazuara.

“Pretendimet e prokurorit të shtetit për refuzimin e dëgjimit të dëshmitarit janë tërësisht të pabazuara, këtë e them nga se në dispozitivin e aktakuzës të prokurorit të shtetit, në faqen e dytë është përcaktuar se Komuna e Prizrenit , Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, me 30.08.2017, e ka hedhur kërkesën për lejen ndërtimore” ka deklaruar avokati Susuri, duke shtuar se i dëmtuari Luan Morina fare nuk  ka pranuar konkluzionet.

Avokati Susuri propozoi që gjykatës t’i dorëzoi si provë librin intern bashk me sqarimin se si mbrojta e ka siguruar.

“Propozoj që të pranohet si provë libri i dorëzimit intern bashkë me sqarimin se si mbrojta e ka siguruar provën nga se nga urdhëri i gjykatës ndaj organit të administratës shtetërore nuk është dorëzuar libri i dorëzimit intern”  ndër të tjera ka deklaruar avokati Susuri.

Pas këtyre, gjykatësja Skenderi njoftoi se aprovohet propozimi i mbrojtësit të akuzuarës Hadije Kasumi, avokati Hazër Susuri, për dëgjimin e dëshmitarit Refki Muzbeg.

Gjithashtu, gjykatësja Skenderi tha se gjykata përsëri do t’i drejtohet Kuvendit Komunal, Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor që të siguroj për shiqim librin intern, në fotokopje të vërtetuar me vulë, me arsyetimin që kopja t’i përgjigjet orgjinalitetit, me vërejtje se mos respektimi i urdhëresës paraqet vepër penale.

“Gjykata do t’i drejtohet Kuvendit Komunal – Drejtorisë për urbanizëm dhe planifikim hapësinor që ta sigurojë në shiqim librin intern – në fotokopje, por të vërtetuar me vulë se kopja i përgjigjet origjinalitetit me vërejtje se mos respektimi i urdhëresës së gjykatës nga ana e zyrtarit të autorizuar paraqet vepër penale”, ka konstatuar gjykatësja Skenderi.

Seanca e sotme u ndërpre, e njëjta u caktua për 02 mars 2021, në ora 10:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 4 dhjetor 2019, Hadije Kasumi akuzohet se gjatë vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtare ligjore në MMPH, në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të saj me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara më 29 mars 2018, merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21 mars 2018 të Drejtorisë për Inspeksion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, me ç’rast gjatë vendosjes në shkallë të dytë, me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspeksionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit Luan Morina, me ç’rast  kishte për të ardhur në përfundim  se  në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon Morina, në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit.

Sipas aktakuzës, pasi Komuna e Prizrenit -Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, më 30 gusht 2017, ka hudhur kërkesën për leje ndërtimore, e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e Luan Morinës dhe e kthen çështjen në rishqyrtim, duke u bazuar vetëm në shkresat e palës, e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson Morinës, në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70.000 euro për rrënim të objektit, duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit. /BetimipërDrejtësi