Më 6 tetor shpallet aktgjykimi për ish-togerin Menderes Sinani dhe Vahid Tahiri

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Të martën, dy ditë para se të shpallet aktgjykimi për Menderes Sinanin dhe Vahid Tahirin, palët edhe një herë thanë ato që sipas tyre kishin mbetur pa u thënë në fjalët e tyre përfundimtare.

Të akuzuarit Menderes Sinani dhe Vahid Tahiri, thanë se nuk kanë çfarë të shtojnë dhe se qëndrojnë prapa fjalëve të mbrojtësve të tyre.

Prokurori Drew Angle tha se të akuzuarit Menderes Sinani dhe Vahid Tahiri, janë hetuar,janë zënë dhe kanë dalë para gjykatës për veprat që i ngarkon aktakuza, dhe se të njëjtit, kërkoi nga gjykata që të shpallen fajtor.

Pala mbrojtëse e Menderes Sinanit, avokati Aziz Rexha, tha se dëshiron që t’ia bëjë me dije edhe një herë prokurorit, që gjatë shqyrtimeve gjyqësore, asnjëherë nuk ka arritur të ofrojë ndonjë provë që klienti i tij, kishte kërkuar para nga familja e Bidajet Sylejmanit.

Tutje, avokati Rexha shtoi se prokurori Angle është duke manipuluar me biseda telefonike dhe se askund në asnjë rast, nuk ka ofruar asnjë provë dhe asnjë dëshmi që klienti i tij kishte kërkuar para nga të dëmtuarit.

Në fund, avokati Rexha tha se shpreson që ky trup gjykues, nuk do të bie në gracka e manipulime të prokurorit Angle, dhe se do të shpallë aktgjykim lirues për Menderes Sinanin.

Me 6 tetor në ora 12, do të shpallet aktgjykimi për të akuzuarin Menderes Sinanin dhe Vahid Tahirin.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe pesë persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë