MË 5 PRILL SHPALLET AKTGJYKIMI PËR ISH-PROKUROREN VAHIDE BADIVUKU

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten u dha fjala përfundimtare ndaj ish-prokurores Vahide Badivuku, e akuzuar për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës  apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Isak Smakollit dhe Idriz Kelmendit,të akuzuar për veprën penale “ushtrimi i ndikimit’’.

Në këtë seancë gjyqësore, prokurori special Admir Shala dorëzoi para trupit gjykues fjalën përfundimtare me shkrim, të cilën i njëjti e elaboroi edhe me gojë. Prokurori Shala deklaroi se të gjitha provat dhe dëshmitë e siguruara deri më tani dëshmojnë se të akuzuarit janë fajtorë .

Prokurori deklaroi para gjykatës se dëshmia e dëshmitarit Mursel Uka nuk mund të merret si vërtetë, pasi në bazë të dëshmisë të së njëjtit shihet qartë se e tërë kjo ka qenë e orkestruar nga mbrojtja dhe po ashtu dëshmitari është mik me Idriz Kelmendin.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare, prokurori Shala i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ku po ashtu theksoi se ndaj të akuzuarës Vahide Badivuku përveç dënimit kryesor t’i ipet edhe dënimi plotësues ”ndalimi i ushtrimit të profesionit në institucione publike”.

Ndërsa për të akuzuarin Isak Smakolli, prokurori i propozoi gjykatës që të ndaj të njëjtit të shqiptohet dënim më i butë, pasi e ka pranuar fajësinë dhe ka qenë bashkëpunues për zbardhjen e të vërtetës.

Ndërsa në fjalën përfundimtare të mbrojtjes së të akuzuarës Vahide Badivuku, me avokatin kryesor Gëzim Baloku, deklaroi se aktakuza që prokurori ka ngritur nuk është e shkruar në mënyrë profesionale, pasi në një dispozitiv janë të shkruara dy vepra penale siç janë ‘’marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kjo sipas Balokut është e pakuptimtë pasi nuk ka vepër penale “marrje të ryshfetit” pa u keqpërdorur detyra zyrtare.

Po ashtu avokati Baloku deklaroi se sa i përket veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” e akuzuara Badivuku si prokurore ka pavarësinë dhe unin e saj në ushtrimin e detyrës dhe kompetencave të saja që i janë siguruar me ligj dhe si të tilla konsiderohen edhe ndërmarrja e atyre veprimeve siç janë ndërprerja apo ndërrimi i masës së sigurisë apo edhe lirimi i atyre sendeve të sekuestruara  fillimisht.

Baloku shtoi se si papritur Idriz Kelmendi doli si i dyshuar, pasi i njëjti deri në ditën e arrestimit të Badivukut asnjëherë nuk ka qenë nën hetime dhe i njëjti thirret dhe i imponohet që të deklaroj, tanimë në formë të ndryshuar duke thënë se Vahides nuk i ka dhënë para hua dhe sipas tij kjo gjë të çon drejt dyshimeve  për një montim të mundshëm, pasi prokurori i ka pushuar hetimet ndaj dy të dyshuarve kryesor Melih Ozandiq dhe Kaltrina Elshanit, duke e inkriminuar kështu “viktimën” Idriz Kelmendi.

Avokati Baloku theksoi se dëshmia e të akuzuarit  Smakolli është e pavërtetë dhe as vet prokurori nuk i beson,ndërkaq shprehet se mbetet me shpresë se edhe gjykata  mos t’i merr si të vërteta fjalët e të njëjtit.

E akuzuara Vahide Badivuku në fjalën e saj tha se në tërësi mbetet pranë deklaratës së mbrojësit të saj dhe shtoi se prokurori special gjatë tërë procedurës të kësaj çështje penale nuk ka siguruar ansjë provë materiale e cila do ta vërtetonte fajësinë e saj lidhur me veprat penale që ngarkohet dhe po ashtu tha se gjatë gjithë këtyre viteve si  prokurore asnjëherë nuk është ankuar askush dhe aq më pak për një rast të tillë, që sipas saj është akuzë shumë e rëndë. E akuzuara Badivuku kërkoi nga gjykata që të bazohet vetëm në të vërtetën dhe jo në thashethemet dhe fjalët që sillen në prokurori.

Badivuku gjatë fjalës së saj para gjykatës tha se prokurori Shala gjatë marrjes së deklaratës e kishte kërcënuar se nëse nuk thoshte të vërtetën, i njëjti do ta ngarkonte edhe me vepra tjera penale dhe shtoi se gjatë kohës sa ishte në paraburgim i kishte thënë se do dënohej me më së paku pesë vite burg, ndërsa prokurori Shala deklaroi se këto janë vetëm spekulime.

Mbrojtësi i të akuzuarit Idriz Kelmendi, avokati Besnik Berisha në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se krejt çka është thënë në shqyrimin gjyqësor të këtij proçesi gjyqësor mund të jetë gjithçka tjetër përveç të vërtetës. Po ashtu Berisha deklaroi se i akuzuari Isak Smakolli u inkurajua nga dëshmia e Kaltrina Elshanit dhe Melih Ozandiq në lidhje me huat me kamatat shumë të larta që Smakolli iu kishte dhënë dhe shtoi se me këtë realitet që u përballë i njëjti u detyrua që të ridizajnon një koncept të ri ku në krye të kësaj vuri emrin e Idriz Kelmendit. Berisha theksoi se si dhuratë për këtë dëshmi të ndyshuar të të akuzuarin Smakolli, prokuroria ia fali të njëjtit veprën penale të fajdes për të cilën parashihet dënim me burg efektiv dhe po ashtu të njëjtin e akuzuan për një vepër tjetër penale për t’ia hedhur paq. I njëjti po ashtu tha se mbetet për tu habitur se me çfarë faktesh u lirua nga akuza Smakolli për veprën penale për fajde, duke shtuar se të njëjtin me ndihmën e prokurorisë, ligji e privilegjoi.
Po ashtu shtoi se nuk mundet gjykata të bazohet në deklaratat e të akuzuarëve, dhe për këtë në mënyrë eksplicide ndalohet edhe me nenin 123 par.5 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Po ashtu për fund Berisha shtoi se i mbrojturi i tij Idriz Kelmendi është i pafajshëm dhe se presin një aktgjykim lirues.

I akuzuari Kelmendi po ashtu deklaroi se mbetet në terësi pranë deklaratës së mbrojtësit të tij dhe shtoi se mbetet me shpesë se trupi gjykues do të jep një vendim të drejtë.

Në fund mbrojtësi i të akuzuarit Isak Smakolli, avokati Xhafer Maliqi deklaroi se i mbrojturi i tij ka thënë të vërtetën dhe konsiderohet edhe dëshmitar bashkëpunues dhe kërkoi nga gjykata që të njëjtit t’i ipet dënimi alternativ, pasi janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 74,75,76 të KPRK-së. Sipas Maliqit ky dënim do të ishte i mjaftueshëm për arritjen e qëllimit individual dhe gjeneral të prevencionit.

Në këtë seancë gjyqësore para se të ipet fjala përfundimtare, gjykatësi Radoniqi bëri ballafaqimin e të akuzuarve dhe të njëjtët qëndruan prapa deklaratave të tyre të dhëna në mbrojtjen e tyre.

Sipas aktakuzës së prokurorit special Admir Shala I PSRK-së e akuzuara Vahide Badivuku ka kryer veprën penale Marrje e ryshfetit ,sipas nenit 428,par  të KPRK-së  dhe keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar,ku në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete,në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyratre, në atë mënyrë që në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore e çështjes penale PPI.nr.298/2014, kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani ,në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit dhe të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, ka kërkuar dhe ka marr nga familja Hasani shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi, poashtu e njëjta në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale ka përpiluar kërkesen për kthimin e sendeve të sekuestruara, në shumën prej 22.000, ndërsa dy të akuzuarit tjera Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli kanë kryer veprën penale ushtrimi i ndikimit. Aktgjykimi do të shpallet më 5 prill 2016 në ora 09:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë