Mbyllet për publikun dhe mediat seanca e rigjykimit ndaj zyrtarit policor të akuzuar për marrje ryshfeti

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë-Gjykata Themelore në Prishtinë e ka mbyllur për publikun seancën e së enjtes ndaj Isa Jasharit në rastin ku i njëjti  në cilësinë e personit zyrtar ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara L.I, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Mbyllja e seancës së sotme për publikun u bë pas propozimit të të akuzuarit Jashari, edhe pse një propozim të tillë e kundërshtoi prokurori, Bashkim Zeqaj.

Sipas tij, nuk kishte arsye për mbylljen  e kësaj seancë për publikun dhe një propozim i tillë duhet refuzuar.

Mirëpo kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku konstatoi se në pajtim me nenin 294 mbyllet seanca e sotme dhe përjashtohet publiku, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kjo për arsye të mbrojtjes së integritetit të palës së dëmtuar dhe ndjeshmërisë së rastit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në qershor të vitit 2020, e kishte ka shpallur fajtor zyrtarin policor të akuzuar për marrje ryshfeti, Isa Jashari.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Jashari ishte dënuar me pesë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 300 euro.

Ndërsa, Gjykata e Apelit në nëntor 2020, kishte aprovuar ankesën e të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së pare dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Jasharit, me pretendimet se i njëjti, më 10 maj 2017, rreth orës 14:30 në lokalin “Eni” në Fushë Kosovë, ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara L.I, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas aktakuzës, këto para të pranuara nga e dëmtuara, i akuzuari i ka marr me qëllim që personi zyrtar në gjykatën në fjalë, të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në një rast ku e dëmtuara ishte e përfshirë si palë në një procedurë, e ku sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte premtuar asaj këtë rast do t’ia kryente brenda tre ditësh.

Mirëpo, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte shkëputur pastaj të gjitha kontaktet me të dëmtuarën, derisa e njëjta kishte paraqitur rastin në polici.

Krejt këto veprime, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Jashari i kishte ndërmarrë nga pozita e zyrtarit policor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër. /BetimipërDrejtësi

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë