Mbyllet për publikun dëshmia e dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e kolegut të punës

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Është mbyllur për publikun dëshmia e dëshmitarit Fahredin Xhemajli, në gjykimin që po zhvillohet ndaj të akuzuarve për vrasje të rëndë dhe shtytje në vrasje, Albion dhe Berat Strelli.

Në këtë rast për vrasjen e të ndjerit A.S, po akuzohet Albion Strelli, ndërsa për shtytje në vrasje po akuzohet Berat Strelli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para fillimit të seancës, mbrojtësja e të akuzuarit Albion Strelli, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka deklaruara se gjykatës i ka dorëzuar një parashtresë me 13 prill 2022 me të cilën ka kërkuar që të sigurohet përmes prokurorisë dëshmia e dëshmitarit Fahredin Xhemajli.

Pas kësaj, ajo ka kërkuar nga gjykata që dëshmia e dëshmitarit Xhemajli të mbyllet për publikun me arsyetimin se, nëse është publiku i njëjti nuk mund të jetë objektiv për të ndriçuar çështjen penale dhe eventualisht mund të ketë ndikim nga pala e dëmtuar pasi janë nga i njëjti fshat, përkatësisht për mbrojtjen e jetës personal ose familjare të dëshmitarit.

Lidhur me propozimin e avokates Gashi-Bytyqi që dëshmia e dëshmitarit Fahredin Xhemajli të mbyllet për publikun, prokurorja e rastit Fitore Sadikaj e ka lënë në kompetencë të gjykatës që të vendos.

Kurse, lidhur me kërkesën e avokates Gashi-Bytyqi për kërkesën për sigurimin e dëshmisë së dëshmitarit Fahredin Xhemajli, ajo shtoi se dëshminë e të njëjtit të dhënë në prokurori nuk e ka konsideruar kredibil, andaj sipas saj për këtë arsye nuk e ka propozuar si provë.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi e ka njoftuar avokaten se meqenëse nuk është provë e propozuar në aktakuzë, nuk obligohet prokuroria t’iu ofroj dëshminë e dëshmitarit Fahredin Xhemajli.

Kurse, lidhur me propozimin e mbrojtëses së të akuzuarit Albion Strelli, avokates Gashi-Bytyqi, gjyqtari Foniqi me vendim e ka mbyllur për publikun marrjen në pyetje të dëshmitarit Fahredin Xhemajli.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli po akuzohet se me 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit Agim Seferi, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuar në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vend punishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit Agim, Albioni me dashje që ta privoj nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit Agim, duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri Agim Seferi është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nën paragrafi 1.5 te KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Albion Strelli, nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se me datë kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin Albion Strelli – vëllain e tij, që ta kryej veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me te pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marr armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri Albion e ka thirr në emër Agim, e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’, më pas Albioni e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë