Mbyllet për media publikimi i dëshmive të dëshmitarëve në gjykimin për korrupsion ndaj përmbarueses private dhe dy tjerëve

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është mbyllur për media publikimi i dëshmive të dëshmitarëve, në gjykimin për korrupsion ndaj përmbarueses private Rrezarta Metaj dhe dy të akuzuarve tjerë, Muharrem Ahmeti e Ardian Maloku.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka ndaluar publikimin e deklaratave e dëshmitarëve deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për shkak të se në këtë rast do të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të mbahet më 25 korrik 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 maj 2019, Rrezarta Metaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, përmbaruese private, në zyrën e saj në Prishtinë ka keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke mos respektuar procedurë përmbarimore dhe duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e saj, më 17 nëntor 2017, me qëllim që vetes dhe të pandehurit Muharrem Ahmeti, pronar i kompanisë NTP “Tricom” t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka nxjerrë urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë (faturën 101/2016 e 15 janarit 2016 dhe kontratën e 19 qershorit 2002).

Tutje, thuhet se përmes këtij urdhri përmbarimor ka kërkuar realizimin e borxhit që kinse e dëmtuara Dogana e Kosovës ka ndaj kompanisë së lartcekur dhe vlera e paraqitur e borxhit është 769 mijë e 691 euro e 16 centë për një vit, me kamatë ligjore prej 8%, kinse për ruajtjen e derivateve të naftës.

Sipas aktakuzës, të njëjtin propozim për urdhër përmbarimor, e pandehura Metaj e kishte përpiluar duke mos respektuar procedurën përmbarimore, e duke mos bërë krahasimin e dokumentacioneve të paraqitura nga i pandehuri Muharrem Ahmeti, e që në kontratën e lartcekur të 19 qershorit 2002, nuk ishte në përputhje me sasinë e naftës prej 237,559.00 litra naftë, si në faturë nr. 101/2016 të 15 janarit 2016, e që shuma e përgjithshme e kërkuar si kompensim arrin vlerën prej 14,131,529. 97 euro.

Sipas aktakuzës, nga 15 janar 2016, deri më 17 nëntor 2017, i pandehuri Ahmeti si pronar i kompanisë NTP “Tricom”, ka përpiluar dhe prezantuar dokumente me përmbajtje të pavërtetë dhe në bashkëveprim me përmbaruesen private, të akuzuarën Metaj, kanë kërkuar nga e dëmtuara, Dogana e Kosovës, kompensim për kinse ruajtjen e derivateve të naftës, për të cilat i pandehuri Ahmeti nuk kishte asnjëherë kontratë valide me të dëmtuarën.

Të pandehurit Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku me qëllim të prezantimit të provave të rrejshme më 23 deri më 25 shkurt 2019, kanë mbushur rezervarët me ujë të cilët i kishte marrë në shfrytëzim i pandehuri Ahmeti nga kompania “Racional Comerce”, për t’i paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lëndën C.nr.1998/07, si derivate të naftës kinse të ruajtura nga Ahmeti.

Në këtë mënyrë, Ahmeti kishte kërkuar si kompensim sipas faturës 101/2016 e 15 janarit 2016, dhe sipas kontratës të 19 qershorit 2002, ku përmes këtij urdhri përmbarues të nxjerrë nga e pandehura Metaj, ka kërkuar realizimin e borxhit që kinse Dogana e Kosovës ka ndaj kompanisë NTP “Tricom” dhe vlera e paraqitur e borxhit është 769,691.16 euro për një vit, me kamatë ligjore 8%, shumën e parave që arrin vlerën prej 14,131,529.97 euro nga e dëmtuara, kinse për ruajtjen e derivateve të naftës nga viti 2001 e deri më tani.

Me ç’rast, thuhet se i pandehuri Ahmeti nuk kishte pasur sasinë e derivateve të pretenduara për ruajtje, ngase i pandehuri Ahmeti në bashkëkryerje me Ardian Malokun, i kanë mbushur rezervarët e lartcekur me ujë për t’i paraqitur si rezervarë të mbushura me naftë.

Për këtë dispozitiv të aktakuzës, tre të akuzuarit ngarkohen me kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” dhe e akuzuara Metaj për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, të pandehurit Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku thuhet se me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë të përgjithshme prej 14,131,529.97 euro, nga 23 shkurtit 2019, e deri më 25 shkurt 2019, kanë mbushur rezervarët me ujë, të cilat gjenden në rrugën Prishtinë–Ferizaj, në Llapnasellë, të cilët rezervarë i kishte marrë në shfrytëzim Muharrem Ahmeti prej kompanisë “Racional Comerc”, me qëllim të prezantimit të provave të rrejshme për t’i paraqitur para organeve kompetente, Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lëndën C.nr. 1998/07 dhe të dëmtuarës, si derivate të naftës kinse të ruajtura ndër vite nga i pandehuri Ahmeti, i cili nga e dëmtuara Dogana e Kosovës, kishte pranuar sasinë e naftës 237,559.00 litra naftë, sipas procesverbalit që mban datën 17, 18 dhe 19 maj të vitit 2001.

Tutje thuhet se i pandehuri Ahmeti e ka tjetërsuar sasinë e naftës së lartcekur prej 237,559.00 litra, në vlerë prej 204,858.00 euro, në atë mënyrë që i pandehuri Muharrem Ahmeti në bazë të faturës e kontratës së lartcekur ka kërkuar kompensimin e borxhit nga e dëmtuara edhe pse kontrata nuk kishte të bënte me sasinë e naftës së lartcekur, e me ç ‘rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerën e lartcekur.

Për këto veprime, Maloku e Ahmeti akuzohen se kanë kryer në bashkëkryerje, veprën penale “Mashtrimi”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë