Mbrojtja pa shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

IMG_4298
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shkurt 23, 2021

Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Syart Kastrati, Isa Avdulli dhe Arsim Ademi.

Në seancën e së martës, mbrojtësi i të akuzuarit Kastrati, Sylejman Klinaku ka deklaruar se nuk i posedon shkresat e lëndës dhe ka kërkuar nga gjykata që të shtyhet gjykimi për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I cili propozim nuk është kundërshtuar nga të akuzuarit e lartcekur e as nga prokurori Bogdan Spadijer dhe avokatet Ardiana Krasniqi dhe Kada Bunjaku Perquku.

Në rrethana të tilla gjykatësi Agron Maxhuni, seancën e ka shtyrë më 25 shkurt 2021, në ora 14:30.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 17 nëntor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Syart Kastrati, Isa Avdulli, dhe Arsim Ademi për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 par.8 e lidhur me par. 6 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit, puntorë të kompanisë “German Color”, në bashkëkryerje më 1 nëntor 2019, në rrugën “Rexhep Musa”, në Vushtrri, konkretisht në shtëpinë e të dëmtuarit Shyqeri Pllana, nga pakujdesia duke mos ndërmarr veprimet e nevojshme mbrojtëse, kanë kryer punime për instalimin e nxemjes qendrore, kurse pas përfundimit të punimeve dhe testimit të nxemjes qendrore në shtëpinë e të dëmtuarit fillimisht dëgjohet një krismë, kurse më 2 nëntor 2019, shtëpia e të dëmtuarit përfshihet nga zjarri e cila fillon nga çatia pastaj tek kati i parë, e që sipas ekspertizës së kryer nga inxhinieri Azem Neziri, konstatohet se zjarri në shtëpinë e të dëmtuarit është shkaktuar nga mbingarkimi i kabullit furnizues nga konzolla deri në ormanin kryesor të shtrirë  nëpër hapësirën  nën kulmit të shtëpisë e që si e tillë është mbingarkuar me kaldanë elektrike prej 30KË, duke mos llogaritur si duhet faktin se a mund të ngarkohet kabulli furnizues me kalldanë elektrike prej 30 KW, me ç’rast të dëmtuarit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 50.000 euro. /BetimipërDrejtësi