Mbrojtja pa shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për narkotikë

20201007_100834
Author

Raporton: Medina KADRIU

Tetor 7, 2020

Prishtinë – Të mërkurën, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për blerje, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, Daut Hyseni.

Pasi është konstatuar prezenca e palëve në procedurë dhe janë marrë të dhënat personale nga i akuzuari Hyseni, gjykatësi Lutfi Shala ka pyetur prokurorinë se a ka bërë zbulimin e provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Bashkim Zeqaj ka thënë se avokati nuk ka qenë t’i kërkojë shkresat, ndërsa ka thënë se procesverbalin e marrjes në pyetje e ka marrë, kurse shkresat e tjera jo.

Në anën tjetër, avokati sipas detyrës zyrtare, Vehbi Ismajli, ka deklaruar se prokuroria e shtetit nuk e ka përmbushur obligimin ndaj mbrojtësit.

“Sa i përket sigurimit të provave për avokatin mbrojtës, në këtë seancë prej provave që na ka prezantuar gjykata kemi vetëm aktin akuzues dhe vendimin mbi të cilin të mbrojturit tim i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në të cilën deri sot është në të njëjtën masë. Asnjë shkresa nuk e kam, përveç seancës dëgjimore më 2 korrik kur kam qenë, atë procesverbal e kam, tjetër kurgjo s’kam”, ka thënë ai.

Tutje, deklaroi se në mungesë të provave nuk është  i përgatitur për këtë shqyrtim fillestar dhe se kërkon  nga gjykata që ta shtyjë për një datë tjetër të arsyeshme, ku gjatë këtij intervali do të pajiset me shkresa të lëndës dhe do të jetë i përgatitur për deklarim.

Më pas, gjykata ka marrë vendim që të aprovohet kërkesë për shtyrje të seancës e parashtruar nga mbrojtja, ku gjykatësi Shala ka thënë se është obligim ligjor që të pandehurit t’i sigurohet mbrojtja efikase.

Gjithashtu, ai tha se sa i përket masës së arrestit shtëpiak, pavarësisht se nuk pati propozimet të ndërprehet apo vazhdohet nga palët, gjykata sipas detyrës zyrtare vlerëson se ende nuk kanë pushuar arsyet mbi të cilat është caktuar kjo masë.

Andaj, gjykatësi Shala tha se masa e arrestit shtëpiak mbetet në fuqi.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 19 tetor, me fillim nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 tetor 2020, i akuzuari paautorizim, me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes, ka poseduar substanca, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me datën 7 shtator 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, në rrugën “Eqrem Qabej”, tek vendi  vendimi i quajtur “Lokalet e Lesnes”, në katin e dytë, policia pas informatave të siguruara, kanë takuar tre persona, të pandehurit Daut Hyseni, Dion Gërgjaliu dhe Arbnor Ismaili, ku pas kontrollimit sipërfaqësor në trup, tek i pandehuri Hyseni janë gjetur 7 paketime nartkoike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4.8 gram. /BetimipërDrejtësi