Mbrojtja pa shkresa të lëndës, gjykata thotë se nuk është në rregull të shtyhet seanca për këtë, e konsideron të metë të prokurorisë

IMG_7634
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 26, 2021

Prishtinë –  Për shkak se Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk e ka pajisur me shkresa të lëndës, mbrojtjen e të akuzuarit për lëndim të rëndë, Ahmed Ibrahimi, ka dështuar të mbahet seanca fillestare e paraparë për të martën.

Pasi që  gjykatësja Sulltane Hoti e  ka njoftuar të akuzuarin  me të drejtat e tij, mbrojtësja e tij, avokatja sipas detyrës zyrtare Zahide Gjonaj ka kërkuar që të shtyhet seanca me arsyetimin se nuk është e pajisur me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë sot e pranova një kopje të aktakuzës. Pasi që nuk jom pajis me shkresat e lëndës, nuk mund të lëshohem në shqyrtim sepse nuk jam në gjendje ta ofroj mbrojtjen për  të mbrojturin tim”, ka thënë avokatja Gjonaj.

Lidhur me këtë prokurorja Elza Bajrami ka deklaruar se ajo tani e ka marrë lëndën nga prokurori që e ka ngritur aktakuzën dhe se mbrojtësja menjëherë mund të drejtohet tek ai për tu pajisur me lëndë.

“Mundet me ardh në prokurori me siguru landën, unë sa e kom marrë landën prej prokurorit i cili e ka ngrit aktakuzën. Mundeni me shku menjëherë në prokurori”, ka thënë prokurorja Elza Bajrami.

Lidhur me këtë avokatja Gjonaj deklaroi “Ka ni orë po duhet me prit se ju nuk po na lejoni me hi brenda mi marrë shkresat”.

Ndërkaq prokurorja Bajrami i replikoj avokatës sërish.

“Më fal avokate veç pak, secilën herë që kanë qenë rastet unë kom qenë, veç i kom thonë thuj te sigurimi prokurorja Elza më ka thonë. Mundet me shku direkt edhe i kërkoj prokurorit Bekim Kodraliu le të ja përgatit menjëherë shkresat”, tha ajo.

“Jo jo tem përgatit po le tëm thirr në telefon, unë qe tri orë e kom mbyll zyrën në ora 9 kom ardh qetu”, ju përgjigj avokatja.

Në fund të gjykimit, gjykatësja Hoti e ka obliguar prokurorinë që brenda afatit prej 2 ditësh ta pajisë mbrojtjen me shkresa të lëndës.

Pasi nuk kishte kushte për tu mbajtur ky shqyrtim fillestar, gjykatësja e ka ndërprerë seancën dhe atë të radhës e ka caktuar më 29 janar në orën 13:30.

Pas përfundimit të seancës gjykatësja Hoti ka thënë se nuk është në rregull të shtyhet seanca për shkak të shkresave të lëndës, duke e konsideruar të metë të prokurorisë.

“Nuk është në rregull të shtyhet seanca për shkak të shkresave të lëndës, kjo po është e metë e prokurorisë që vazhdimisht po na shkakton telashe”, tha gjykatësja Hoti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 janar 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Ahmed Ibrahimit të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186 par.3 nën par.3.2 lidhur me par.2, nën par. 2.5 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 6 shtator 2020 në xhaminë e fshatit Besi, Komuna e Prishtinës, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin Amina Arab, në lidhje me një palë pantallona, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin me një mjet të mprehtë, skallper, duke i shkaktuar plagë prerëse që si të tilla kualifikohen dëmtime të rënda trupore me pasoja të përhershme për shëndetin. /BetmipërDrejtësi