Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon gjykimi për shmangie nga tarifat doganore

GJTHP 14 nentor (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Nëntor 18, 2019

 

Pejë – Të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore, Nexhmedin Boletinaj.

Mos mbajtja e kësaj seance, ka ardhur për shkak se mbrojtja e të akuzuarit, ka deklaruar se ende nuk është pajisur me shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjykatësi Ahmet Rexhaj, e ka obliguar Prokurorinë Themelore në Pejë, që mbrojtja e të akuzuarit të pajiset me shkresat e lëndës, pasi për një gjë të tillë, paraprakisht ka njoftuar avokati Bekë Lajqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Lajqi, ka kërkuar që gjykimi të shtyhet për një datë tjetër.

“Nuk kam kërkuar kurrfarë prova nga Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë çështje, ngase nuk kam qenë në dijeni se do të ngritet e as që është ngritur aktakuza, ndërsa në bazë të dispozitave të KPPRK-së, Prokurori i Shtetit është i detyruar që së bashku me akuzë, palës mbrojtëse ose të pandehurit t’ia ofrojë të gjitha provat në të cilat e mbështet akuzën”, ka thënë avokati Lajqi.

Kurse, prokurorja e çështjes, Ardiana Veseli, është deklaruar që të akuzuarin, përkatësisht mbrojtësin e tij, do ta pajisë me kopje të shkresave të lëndës.

Ndërsa, gjykatësi Rexhaj, me aktvendim e ka aprovuar propozimin e avokatit Lajqi që seanca e shqyrtimit fillestar të shtyhet për një datë tjetër, kurse seanca e radhës është caktuar më 23 dhjetor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 mars 2019, Nexhmedin Boletinaj akuzohet se në kohë të pavërtetuar e deri më 15 mars 2018, në fshatin Vitomericë, Komuna e Pejës, pikërisht në subjektin afarist N.SH “Autoservis Volsëagen”, ka kryer veprën penale “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me qëllim që vetes t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore të doganës, të cilat paguhen me rastin e importimit të mallrave, Doganës së Kosovës, i ka shkaktar dëm material në shumë të përgjithshme prej 173.949,75 euro.

Sipas aktakuzës, përderisa Dogana e Kosovës, përkatësisht sektori i hetuesisë, i kanë bërë një kontroll të pandehurit në subjektin e tij afarist, të njëjtit i kanë gjetur 87 automjete, ku 73 prej tyre kanë rezultuar të zhdoganuara. /BetimipërDrejtësi