MBROJTJA KUNDËRSHTON PROPOZIMIN E PROVAVE – SHTYHET SEANCA

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Gjykimi kundër të akuzuarëve Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Nushi, u shty për shkak se propozimi i prokurores Ferdane Sylejmani për leximin e provave u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarëve.

Gjatë kësaj seance, mbrojtja konsideroi se nuk mund të mirren si prova relevante deklaratat e të dëmtuarës Sava Arsiq dhe dëshmitarit Ramë Cakiqi, të dhëna në polici gjatë vitit 2008. Mbrojtësja e të akuzuarit Afrim Gashi gjithashtu kërkoi nga trupi gjykues që të siguroj prezencën e të dëmtuares Arsiq. “Gjykimi nuk mund të vazhdoj vetëm duke u bazuar në një deklaratë të saj të dhënë në vitin 2008” u shpreh ajo.

Duke e parë kundërshtimin e mbrojtjes, trupi gjykues morri aktvendim që seanca të shtyhet për datë 27 qershor, deri në sigurimin e të dëmtuares Arsiq dhe dëshmitarit Cakiqi.

Sipas aktakuzës së 7 korrikut 2008, të akuzuarit Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Dushku, kishin vënë në lajthim Gjykatën Komunale në Prishtinë, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë si të vërtetë. Këtë e kishin bërë duke paraqitur si provë në një çështje ligjore një dëftesë, se gjoja e dëmtuara Sava Arsiq ka pranuar vlerën prej 300 mijë euro më gjashtë shtator të vitit 2006 në vendin e quajtur Merdar. Të akuzuarit, të njejtën dëftesë dhe një autorizim të përpiluar i kishin përdorur si origjinal, për pranimin e parave.  Këtë autorizim gjoja e kanë vërtetuar në Nish, se kinse i pandehuri Xhemshit Dedinca është i autorizuar nga Sava Arsiq. Këto dokumentacione, sipas aktakuzës, i kishin përdorur në Gjykatën Themelore në Prishtinë në një lëndë civile. Prokuroria i ka akuzuar këta person për kryerjen e veprave legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”,shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit dhe pastrimi i parasë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë