MBROJTJA KUNDËRSHTON EKSPERTIZËN FINANCIARE, GJYKATA URDHËRON PLOTËSIMIN E SAJ
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Ekspertiza e ekspertit financiar Riza Blakaj, nuk është pranuar nga mbrojtja e të akuzuarit Behxhet Salihu, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Behxhet Salihu akuzohet se gjatë vitit 2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në cilësinë e personit zyrtar si kontroller i zyrës postare në Kodrën e Trimave, kishte përvetësuar shumën prej 29.903.10 euro.
Në seancës e së hënës, prokurori Abdurrahim Islami, tha se në bazë të hetime të zhvilluara nga ana e prokurorisë dhe në bazë të deklaratave të dëshmitarëve, i akuzuari Salihu është fajtor për veprën penale “përvetësimi në detyrë” dhe i njëjti duhet të shpallet fajtor nga gjykata.
Mbrojtësi i të akuzuarit Behxhet Salihu, avokati Qerim Metaj e ka kundërshtuar prokurorin, duke thënë se nuk është dëgjuar dëshmitarja Saranda Ademi, koordiantore financiare në PTK edhe se ekspertiza financiare e kryer nga eksperti Riza Blakaj, është bërë vetëm duke u bazuar në raport të PTK-së, dhe duke mos u bazuar aspak në të dhëna qëndrore, gjë të cilën e ka pohuar edhe vet eksperti Blakaj në seancën e 19 janarit 2016. “Klienti im për gjashtë vite është dëmtuar nga PTK-ja, përafërsisht 300 euro në muaj, duke u paguar si postier e në fakt punën e ka kryer si kontroller i zyrës postare. Gjithashtu klienti im e pranon fajin për shumën prej 16.340 eurove, të cilat i ka marrë për shërim të vajzës së tij në Turqi, dhe se është zotuar se pas dëmshpërblimit nga PTK-ja, për peridhën kohore sa nuk është paguar si kontroller i zyrës postare por si postier, do t’i kthente të gjitha”, tha avokati mbrojtës Qerim Metaj.
Tutje avokati Metaj, ka kërkuar nga trupi gjykues, që nëse eventualisht i akuzuari gjendet ndonjë vepër penale në këtë rast atëherë ajo nuk mund të jetë “përvetësimi në detyrë”, por “përvetësimi i paautorizuar i pasurisë”, vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Kryetari i trupit gjykues Faik Hoxha ka marr vendim që seanca e radhës të mbahet më 8 mars 2016, dhe e ka obliguar ekspertin financiar që të bëjë plotësimin e ekspertizës, duke pasur qasje në të dhënat qëndrore të PTK-së dhe në bazë të dokumenteve origjinale.