Mbrojtja kërkon t’i zëvendësohet paraburgimi me masa tjera alternative të akuzuarës se mashtroi 29 persona për rregullimin e vizave suedeze
Raporton: Doruntina MEHMETI
Mitrovicë- Mbrojtësi i të akuzuarës për mashtrim, Valbonë Peci, avokati Armend Krasniqi i propozoi gjykatës që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturës së tij të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative të sigurimit të pranisë së të pandehurës në procedurë.
E akuzuara Peci ngarkohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021, nga 29 persona ka pranuar 61 mijë e 600 euro, të cilëve iu kishte premtuar rregullimin e vizave suedeze.
Në seancën e së mërkurës, propozimin e avokatit Krasniqi nuk e kundërshtoi prokurori Sllobodan Bakiq, i cili i propozoi gjykatës që masën e paraburgimit ndaj të akuzuarës Peci ta zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Krasniqi këtë propozim e mbështeti në faktin se e mbrojtura e tij gjendet në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar dhe se sipas tij kanë përfunduar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase, meqenëse rreth 99% e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve janë dëgjuar.
Gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri konstatoi se në lidhje me propozimet e avokatit dhe prokurorit do të vendosë jashtë seancës.
Ndryshe, në shqyrtimin e sotëm gjyqësor u dëgjuan të dëmtuarit-dëshmitarët Hazir Gashi, Zenun Rukolli, Neribane Syla, Gazmend Mehmeti, Lundrim Mehana dhe Valon Keqolli.
I dëmtuari Hazir Gashi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bakiq, se si ishte njoftuar me të akuzuarën Peci dhe cilat kishin qenë kushtet e marrëveshjes së tyre për rregullimin e vizës në shtetin e Suedisë, deklaroi se ka tentuar të dalë në perëndim për shkak të gjendjes shëndetësore të fëmiut të tij.
Ai deklaroi se pasi ia kishte dorëzuar 1 mijë e 800 euro dhe disa dokumente personale, e akuzuara i kishte premtuar se viza do t’i bëhet për rreth tetë muaj.
I dëmtuari Haziri tha se nuk kanë kontaktuar më që nga dita kur i ka dorëzuar paratë dhe deri më tani nuk e ka marrë vizën dhe as paratë nuk i janë kthyer.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Krasniqi, nëse kishte pasur marrëveshje me të akuzuarën Peci, që në rast se nuk i rregullohet viza t’ia kthejë paratë, i dëmtuari Gashi pohoi një gjë të tillë.
Kurse, i dëmtuari Zenun Rukolli në deklaratën e tij tha se me të akuzuarën është njoftuar përmes një kolegeje të tij, pasi kishte dëgjuar se e njëjta rregullon viza pune për në Suedi.
Ai shtoi se ia kishte paguar shumën prej 2 mijë e 700 euro të akuzuarës pasi ishte marrë vesh me të për kushtet e rregullimit të vizës.
Tutje, ai tha se më nuk e ka takuar të njëjtën derisa kishte kuptuar nga mediat se të akuzuarën e kishin arrestuar.
Gjyqtari Beqiri e pyeti të dëmtuarin Rukolli nëse kishte plotësuar ndonjë aplikacion për vizën apo nëse kishte marrë vërtetim pas pagesës së bërë.
“Jo, asnjë nga këto”, deklaroi i dëmtuari Rukolli.
Seanca vijoi me dëgjimin e të dëmtuarës Neribane Syla, e cila duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit deklaroi se me të akuzuarën Peci ishte njoftuar përmes një familjari të saj.
Ajo shtoi se ka lidhur marrëveshje me të akuzuarën për t’ua rregulluar vizat për në shtetin e Suedisë dy djemve të saj, duke ia dorëzuar të njëjtës shumën prej 3 mijë e 500 euro.
“Atë ditë kur ia kam dorëzuar paratë i kom thanë të lutem nëse mendon që nuk mundesh me i rregullu vizat tregom, mos t’i dorëzoj paratë fare”, shtoi tutje e dëmtuara Syla.
Ajo deklaroi se gjatë muajve pasi ia ka dhënë paratë ka biseduar me të akuzuarën ndërsa për herë të fundit e kishte takuar në fillim të shtatorit të vitit 2021.
“Na ka premtuar që nëse deri në dhjetor nuk rregullohen vizat, do të na i kthejë paratë”, tha e dëmtuara.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Krasniqi, nëse e akuzuara Peci ia kthen paratë a do ta njoftonte gjykatën për këtë, e dëmtuara Syla deklaroi se natyrisht që po.
I dëmtuari tjetër Gazmend Mehmeti deklaroi se në këmbim të rregullimit të vizës në shtetin e Suedisë të akuzuarës ia ka dhënë 1 mijë euro.
Pasi ishin marrë vesh për kushtet e marrëveshjes, i dëmtuari Mehmeti deklaroi se disa herë ka kontaktuar me të akuzuarën në telefon, derisa nga rrjetet sociale ishte njoftuar se e njëjta është në paraburgim.
Ai shtoi se nuk kishte plotësuar asnjë aplikacion dhe e akuzuara nuk i kishte dhënë ndonjë vërtetim të pagesës së shumës së parave.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Krasniqi, se në cilën periudhë është supozuar t’i rregullohet viza, i dëmtuari Mehmeti deklaroi se rreth muajit maj të këtij viti.
“A keni qenë në dijeni se Valbona nuk mundet me ua rregullu vizën se nga nëntori i vitit 2021 vazhdon të jetë në paraburgim”, e pyeti avokati Krasniqi.
I dëmtuari Mehmeti u përgjigj se është në dijeni për këtë fakt, ndërsa shtoi se edhe nëse lirohet nga paraburgimi dhe e përmbush marrëveshjen e rregullimit të vizës, të njëjtën nuk do ta pranonte.
Tutje, të dëmtuarit Lundrim Mehana dhe Valon Keqolli ndër të tjera deklaruan se ia kanë dhënë të akuzuarës shumën monetare prej 1 mijë 250 euro, respektivisht 2 mijë 400 euro, në këmbim të rregullimit të vizave në shtetin e Suedisë.
Të njëjtit deklaruan se kanë pasur marrëveshje me të akuzuarën për kthim të parave në rast se dështon rregullimi i vizave.
Por, ata shtuan se nuk e kanë marrë vizën dhe as paratë nuk u janë kthyer nga e akuzuara.
Për shkak se në shqyrtimin e sotëm gjyqësor nuk ishte i pranishëm i dëmtuari Ismajl Ismajli, gjyqtari Beqiri konstatoi shtyrjen e seancës për 8 korrik 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbonë Pecit sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se në Mitrovicë në raste dhe periudha të ndryshme kohore ka sjellë në lajthitje disa persona, me fshehjen e fakteve e me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror, e vetëdijshme për veprën dhe për pasojat e të njëjtës.
Sipas aktakuzës, disa persona në dëm të pasurisë së vet të pandehurës i kanë dorëzuar shuma monetare në mënyrë që e njëjta t’ju sigurojë vizën e punës në Suedi, gjë që nuk e ka bërë në afatet e dakorduara, sepse për një veprim të tillë nuk ka pasur bazë, mundësi dhe as autorizim.
Kështu, aktakuza thotë se nga 29 persona në intervale të ndryshme kohore gjatë vitit 2020 e 2021, sipas kësaj baze ka pranuar shuma monetare, në shumë kumulative prej 61 mijë e 600 euro. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.