Mbrojtja kërkon që të mbetet në fuqi dënimi i mësuesit për ndërhyrje në notat e djalit të tij dhe nxënësve tjerë

Raporton: Premton SADIKU

Prishtinë – Avokatja Hedije Ademi, mbrojtësja e mësuesit Fehmi Ramaj që nga shkalla e parë u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ky dënim të mbetet në fuqi.

Ramaj akuzohet se si mësues i nivelit të ulët shkollor, në Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, ka ndërhyrë në ditarë, ku në lëndën e biologjisë ka përmirësuar notat e 11 nxënësve, përfshirë edhe djalit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, prokuroria e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar. Për këtë të parën Ramaj është dënuar me gjobën e lartpërmendur pasi e kishte pranuar fajësinë, kurse për veprën e dytë Gjykata Themelore në Prishtinë ka veçuar procedurën, pasi ai ishte deklaruar i pafajshëm.

E në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Apelit, avokatja Ademi ka thënë se në këtë rast nuk janë shkaktuar pasoja juridike, pasi sipas saj brenda 24 orëve ishte kthyer gjendja e mëparshme. Kështu, ajo ka kërkuar që dënimi prej 1 mijë e 500 euro gjobë, i shqiptuar nga Themelorja ndaj të mbrojturit të saj, të mbetet në fuqi.

Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes ankesës së saj ka propozuar që dënimi në fjalë të rritet, me arsyetimin se shkalla e parë nuk e ka marrë parasysh si rrethanë rënduese faktin se i njëjti ka ndërhyrë në 11 nota ku ka përfituar djali i tij dhe 10 persona të tjerë, si dhe faktin se ai do të duhej të ishte shembull për të tjerët për respektimin e ditarit.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes shkresës ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet, kurse ankesa e mbrojtjes të refuzohet.

Ndryshe, Fehmi Ramaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 qershor 2021 dhe ishte dënuar me 1,500 euro gjobë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi fillimisht kishte pranuar fajësinë për këtë vepër. Ai akuzohet edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, po për këtë vepër ishte deklaruar i pafajshëm dhe procedura ishte veçuar.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Apeli në fund të vitit 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë