Mbrojtja kërkon nga Apeli zbutje të dënimit për të akuzuarin për armëmbajtje pa leje

image2 (1)
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Tetor 15, 2020

Prishtinë – Të enjten, para kolegjit të Gjykatës së Apelit, mbrojtja e të akuzuarit Sylë Osmani i cili është dënuar më 10 muaj burgim efektiv për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ka paraqitur ankesë sa i përket lartësisë së dënimit ndaj të njëjtit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Teki Bokshi, gjatë elaborimit të ankesës para kolegjit të Apelit ka thënë se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë është tejet i lartë dhe nuk përputhet me praktikën dënuese të Gjykatave në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai me anë të ankesës ka kërkuar nga Apeli ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë duke kërkuar dënim më të butë për Osmanin, dënim me kusht apo me gjobë.

Prokuroria e Apelit me anë të parashtresës ka propozuar që ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi të vërtetohet.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë më 26 qershor 2020 e ka shpallur fajtor Sylë Osmanin, pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë dhe i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv prej 10 muajsh.

Të akuzuarit Osmani i është konfiskuar arma, karikatori dhe fishekët, të cilat ishin sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Sylë Osmani po ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se nga data e pavërtetuar e deri më 4 gusht 2019, rreth orës 00:30, në rrugën “Gasper Karraqi” në Gjakovë ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij “BMW”, me rastin e kontrollit të bërë në veturën e tij nga ana e zyrtarëve policorë është gjetur një pistoletë e tipit “Walther”, një karikator dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.65mm, të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policor. /BetimipërDrejtësi