Mbrojtja kërkon nga Apeli vërtetim të aktgjykimit lirues për tre anëtarët e komisionit që akuzoheshin për korrupsion në ndarjen e 92 banesave

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Mbrojtja e të akuzuarve Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që të vërtetohet aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore në Prizren.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, Mehmetin, Shalën dhe Rexhepin, më 27 maj 2021 i kishte shpallur të pafajshëm nga akuza se kishin shpërfillur kriteret ligjore kur kishin ndarë 92 banesa për kategoritë e dala nga lufta dhe kategoritë tjera sociale në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij aktgjykimi, ka paraqitur ankesë prokurori për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit material.

Me anë të kësaj ankese, prokuroria ka kërkuar që të prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe lënda të kthehet në rigjykim, ankesë të cilën e ka përkrahur edhe Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese.

Në këtë seancë, mbrojtësja e të akuzuarit Rexhepi, avokatja Bahrie Besimi tha se ankesa e prokurorisë është e pabazuar dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që i njëjti të vërtetohet.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Esat Gutaj deklaroi se Gjykata Themelore në Prizren me anë të administrimit të provave ka vërtetuar se Komuna e Prizrenit nuk ka pasur ankesë dhe nuk ka qenë e dëmtuar, andaj propozoi që aktgjykimi të vërtetohet, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm.

Edhe të akuzuarit të cilët ishin të pranishëm para trupit gjykues të përbërë nga Xhevdet Abazi (kryetar), Afërdita Bytyqi (anëtare) dhe Tomislav Petroviq (gjykatës referues), u pajtuan me fjalët e mbrojtësve, duke kërkuar vërtetimin e aktgjykimit të tillë nga Apeli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 8 mars 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkoheshin se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkoi se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre. Sipas akuzës, ata i  kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010, për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast, aplikuesit nga radha e familjeve të dëshmorëve kanë përfituar 82 banesa, aplikuesit nga familjet e luftës së UÇK-së, kanë përfituar 5 banesa, familjet e veteranëve të luftës 2 banesa, ndërsa nga radhët e familjeve skamnore përfitojnë vetëm 3 banesa.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata thuhet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë