Mbrojtja kërkon mendimin e MPB-së lidhur me pushkën ajrore që i akuzuari e posedonte pa leje

IMG_9875
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Tetor 9, 2019

Ferizaj – Mbrojtësi i të akuzuarit Oriol Eshrefi, avokati Avni Ibrahimi, ka kërkuar që të merret mendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), lidhur me atë se nëse është e nevojshme që qytetarët të posedojnë leje për blerjen apo posedimin e pushkës ajrore, të cilën i pandehuri e posedonte pa autorizim.

Këtë propozim, Ibrahimi e ka bërë në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Propozojmë që të kërkohet mendimi-informacioni nga Ministria e Punëve të Brendshme, se arma e cila është objekt veprues i akuzës së prokurorisë, a është e nevojshme që qytetarët të posedojnë autorizim apo leje për blerjen-posedimin e asaj arme, për shkak se kemi të bëjmë me pushkë ajrore të kalibrit 4.5 mm. Pas sigurimit të këtij informacioni, i pandehuri do të deklarohet përkitazi me fajësinë”, tha ai.

Propozimi i tillë nuk është kundërshtuar nga prokurori i rastit, Veton Shabani, të cilin propozim më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi, Ibrahim Idrizi.

Gjykatësi Idrizi ka thënë se seanca e radhës do të caktohet pas sigurimit të kësaj prove.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Oriol Eshrefi, akuzohet se më 4 janar 2018, gjatë një kontrolli nga zyrtarët policorë, i ishte gjetur një pushkë ajrore e kalibrit 4.5mm, të cilën e kishte poseduar pa autorizim.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi