Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit për terrorizëm, ndërsa prokuroria kërkon dënimin e tij

20190410_142924
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Prill 10, 2019

Prishtinë – Gazmend Haliti, që në rastin e njohur si “Badovci”, është dënuar me vendim të formës së prerë me tri vite e gjashtë muaj burgim, e ka përfunduar edhe një gjykim tjetër në të cilën është akuzuar për “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Sipas aktakuzës Haliti, ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që, më 17 gusht 2013, është nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në aeroportin “Sabiha Gokçen”, në Stamboll të Turqisë. Prej aty, siç thuhet në aktakuzë, ka kaluar në Siri, ku i është bashkëngjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS dhe ka qëndruar në Siri, deri në shkurtin e vitit 2014.

Mirëpo, një konstatim të tillë të prokurorisë e konsideroi të pavërtetë, mbrojtësi i Halitit, avokati Asdren Hoxha. Sipas tij, prokuroria e ka akuzuar padrejtësisht dhe pa asnjë provë, me arsyetimin se klienti i tij, asnjëherë nuk ka qenë në Siri.

“Me asnjë provë të vetme prokuroria nuk ka vërtetuar se i mbrojturi im të këtë kryer veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, kjo për faktin se me provat e propozuara nuk është arrit të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se klienti im ka kryer këtë vepër penale, provat nuk e kanë fuqinë provuese që kërkohet kur merret një aktgjykim dënues, a ka dëshmu dikush para juve që Gazmend Haliti, ka qenë në Siri? Jo sepse një provë e tillë nuk ekziston. A ka pasur ndonjë librezë ushtarake? Jo. Prokuroria mbështet me hipoteza se i mbrojturi im ka qenë në grup terrorist. Kjo çështje është zhvillu padrejtësisht”, ka thënë avokati Hoxha, në fjalën e tij përfundimtare.

Deklarimin e mbrojtësit të tij, e ka mbështetur edhe i akuzuari Haliti.

Ndërsa, prokurori Afrim Shefkiu, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se Haliti, ka qenë në Siri, ndërsa shtoi se për vepra të tilla ka qenë i dënuar më parë.

“Pa mëdyshje është vërtetu se i njëjti e ka kry veprën penale që i vihet në barrë, gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës është vërtetu se Gazmend Haliti, është person i radikalizuar me ideologji militante terroriste dhe për këtë ka qenë i dënuar më parë. Për qëndrimin e të akuzuarit në Siri, vërtetohet me fotografitë me personin Betim Ibrahimaj, ky person është dënu për pjesëmarrje në grup terrorist dhe është dënuar me  5 qershor 2015, ku e ka pranu fajësinë”, tha prokurori Shefkiu.

Sipas prokurorit, në atë foto ka qenë edhe Fitim Dema, i cili më 21 maj 2016 kishte dhënë  deklaratë në cilësi të dëshmitarit dhe kishte sqaruar që fotot janë bërë në qytetin Azaz të Sirisë.

Prokurori tha po ashtu se edhe Dema, është dënuar me aktgjykim të formës së prerë për veprën e njëjtë.

Shefkiu, po ashtu e përmendi edhe dënimin e Halitit në rastin “Badovci”, duke pretenduar se me këtë rast e kishte treguar besnikërinë ndaj organizatave terroriste.

Mirëpo, këtë argument e kundërshtoi avokati Hoxha, i cili theksoi se kjo nuk ka lidhje me rastin në të cilin është duke u zhvilluar shqyrtimi gjyqësor, për të cilin shtoi se prokuroria me asnjë provë nuk ka arritur të dëshmoi se Haliti, ka qenë në Siri gjatë periudhës gusht 2013 e deri në shkurt 2014.

Hoxha, duke u mbështetur në atë se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë ndaj Halitit, i propozoi gjykatës që të merr aktgjykim lirues.

Ndryshe, para se të jepej fjala përfundimtare, kryetari i trupit gjykues Isuf Makolli deklaroi se dëshmitari i propozuar nga ana e prokurorisë Fitim Dema, nuk ka mundur të sigurohet nga gjykata dhe për këtë arsye prokurori hoqi dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

Prokurori hoqi dorë nga dëshmia e Demës, mirëpo ai propozoi që të vijnë në gjykatë për të dëshmuar zyrtarët policorë Adnan Omeri dhe Xhelbrim Isaku, të cilët e kishin intervistuar Demën.

Një propozim të tillë e kundërshtoi avokati Hoxha, ndërsa më pas u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se për propozimin e njëjtë është vendosur në seancën e 6 marsit 2019.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar më 12 prill 2019, në ora 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 nëntor 2016, i pandehuri Gazmend Haliti, akuzohet se më 17 gusht 2013, nga Aeroporti i Prishtinës ka marrë rrugën drejt Stambollit, për të vazhduar më pas në Siri.

Sipas aktit akuzues, Haliti i ishte bashkangjitur organizatës terroriste ISIS. I njëjti kishte marrë pjesë aktivisht në veprimtarinë e kësaj organizate për dy muaj.

Në shkurt të vitit 2014, Haliti nga Aeroporti i Stambollit kishte fluturuar në Aeroportin e Tiranës, ku më pas ishte futur në Kosovë.

Gazmend Haliti ka qenë i akuzuar edhe në grupin e njohur si “Badovci”, në të cilin ai më 19 korrik të vitit 2017, bashkë me të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim, dënim i cili i është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. /Betimipërdrejtësi